Dënoi për herë të parë protestuesit e Berishës, kush është gjyqtari që u transferua në Tiranë dhe u kthye në “mollë sherri” në Top Story, akuzat për lidhje me Ramën

Me ngritje zëri dhe tensione ka vijuar emisioni i kësaj të hëne në “Top Story”, ku është folur lidhur me protestën e opozitës së mbajtur pasditen e së premtes. Pjesë e panelit ka qenë deputeti Klevis Balliu si dhe gazetari Bledian Koka, të cilët kanë vijuar me akuzat kundrejt gjyqtarit Enkel Peza, i cili la në burg një pjesë të protestuesve të arrestuar më 17 prill.
Të dy të ftuarit kanë ngritur dyshime mbi paanshmërinë e procesit, duke e cilësuar gjyqtarin të lidhur me pushtetin dhe duke vënë në diskutim provat e paraqitura nga prokuroria.
Sipas Balliut, materiali provues i paraqitur në gjykatë nuk ka qenë i mbledhur nga policia, por i marrë nga pamje televizive, duke ngritur pikëpyetje mbi hetimin. Ai argumentoi se nuk ka identifikim të personave që kanë kryer veprime konkrete të paligjshme, ndërsa theksoi se akuzat janë ngritur në mënyrë të përgjithshme.
“Provat që kishte sjellë prokuroria se në raste të tjera kanë qenë te ndryshme në këtë rast nuk ishin nga policia por nga televizioni Report Tv. Kishin marrë pesë fotografi. Përvec faktit që kishin marrë vetëm pamjet. Prokuroria nuk akuzon asnjë që e ka bërë ky, por thotë këto mjet kemi gjetur ne. Nuk thotë Klevis Balliu është personi që u kap me molotov. Për shkak se kanë kapur njerëz kot për të shtuar numrin, nuk arrin dot të thotë që ky person iqë është kapur, se kishte molotovin dhe ka goditur, apo kishte fishekzjarrë. Ata nuk akuzojnë asnjë, thonë kemi gjetur këta njerëz, dhe këto çantat”, tha Balliu.
Nga ana tjetër, Koka e ka çuar debatin drejt sistemit të drejtësisë, duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e gjyqtarit dhe duke përmendur procesin e vettingut, si element që sipas tij nuk ka garantuar standardet e duhura të paanshmërisë.
“Pse nuk ikën ky gjyqtari? E ka kaluar vettingun e Fatmir Xhafajt”, tha ai ndër të tjera.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, në seancën me dyer të mbyllura, mbrojtja e të arrestuarve kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Enkel Peza, me pretendimin se ai dhe familjarë të tij kanë pasur angazhime në strukturat lokale të Partisë Socialiste në Kavajë. Kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtari Dritan Hallunaj.
Sipas hetimeve, pesë protestues janë identifikuar nga efektivët si persona që kanë sulmuar me molotov godinën e kryeministrisë dhe kanë kundërshtuar forcat e rendit gjatë shoqërimit. Ata akuzohen për kundërshtim të punonjësve të policisë, prishje të rendit publik dhe mbajtje pa leje të lëndëve shpërthyese.
Për këta persona, Prokuroria e Tiranës kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”, kërkesë që u pranua nga gjykata. Ndërkohë, për gjashtë persona të tjerë u vendos masa “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”.
Kush është gjyqtari Enkel Peza:
Gjyqtari Enkel Peza është një nga emrat e sistemit të drejtësisë që së fundmi ka marrë vëmendje publike për shkak të vendimmarrjeve të tij, ndërsa karriera e tij përfshin një rrugëtim të ndërtuar brenda strukturave gjyqësore në vend. Aktualisht, ai ushtron detyrën si gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pozicion të cilin e ka marrë më 19 shtator 2025 përmes një transferimi të përkohshëm, ndërsa paralelisht, prej shtatorit 2024, është edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
Më herët, ai ka mbajtur funksionin e zv.kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për një periudhë mbi dyvjeçare, nga korriku 2023 deri në shtator 2025, ndërkohë që prej vitit 2020 kishte shërbyer si gjyqtar në të njëjtën gjykatë. Hapat e parë në sistemin e drejtësisë i ka nisur si ndihmësligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë në periudhën 2019–2020.
Në aspektin akademik, Peza është diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2020, duke përfunduar formimin profesional për sistemin gjyqësor, ndërsa studimet e larta i ka kryer në degën “Drejtësi” në Universitetin “Luarasi” në vitet 2003-2007. Emërimi i tij fillestar si gjyqtar mban datën 20 tetor 2020.
Ai ka kaluar gjithashtu procesin e rivlerësimit të njohur si vetting, duke u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me vendimin nr. 194 të datës 6 shtator 2019.