Sektorët më të prekur nga tërmeti (raporti i detajuar)

Raporti zyrtar i dëmeve të tërmetit të përgatitur nga Këshilli i Ministrave, Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore vlerëson se Shqipëria ka një aftësi të kufizuar për të arritur rikonstruksion të plotë brenda një afati të shkurtër dhe të mesëm.
Për sa i përket humbjeve, sektorët ekonomikë më të goditur ishin turizmi dhe pasuritë e paluajtshme, por dëme të konsiderueshme u shkaktuan gjithashtu në arsim, shëndetësi, infrastrukturë publike, prodhim dhe tregti e bujqësi.
Shumica e dëmeve janë regjistruar në sektorin e Strehimit (78.5%), e ndjekur nga sektori Prodhues (8.4%) dhe Edukimi (7.5%). Sa i përket humbjeve, sektori i prodhimit zë pjesën më të lartë (56.4%), ndjekur nga Strehimi (24.1%) dhe Mbrojtja Civile & Reduktimi i Rrezikut të Fatkeqësive me 9.4%.
Arsimi: Dëmet janë raportuar për 321 institucione arsimore në 11 bashkitë e prekura, që përfaqësojnë 24% të të gjitha institucioneve arsimore. Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit kanë pjesën më të lartë të dëmeve, përkatësisht me 55% dhe 21%. Vlera totale e dëmeve dhe humbjeve në sektorin e arsimit vlerësohet 72.35 milion euro (8.9 miliardë lekë).
Nga kjo, vlera e dëmit është 63.59 milion euro (7.8 miliardë lekë), ndërsa humbjet janë 8.76 milion euro (1.1 miliardë lekë). Nevojat totale për rindërtim dhe rikuperim vlerësohet të jenë 94.83 milion euro (11.67 miliardë lekë).
Shëndetësia: 36 objekte shëndetësore (8% e totalit në 11 bashki) janë dëmtuar pjesërisht ose plotësisht, ku 22 janë institucione të kujdesit shëndetësor parësor. Pati dëmtime në tre spitale rajonalë, nëntë spitale universitar (njësi), dy spitale komunale, dhjetë qendra shëndetësore dhe 12 poste shëndetësore. Efektet totale vlerësohen në 9.93 milion euro (1.22 miliardë lekë). Humbjet e raportuara arrijnë në 1.91 milion euro (235.03 milion lekë) dhe janë të lidhura kryesisht me shërbimet mjekësore falas gjatë periudhës së urgjencës. Rehabilitimi i objekteve të dëmtuara pjesërisht ose të dëmtuara tërësisht, si dhe masat e zvogëlimit të rrezikut dhe rezistencës vlerësohet në 14.54 milion euro.
Strehimi: Gjithsej janë 11,490 njësi strehimi të vlerësuara si të dëmtuara ose të prishura plotësisht dhe duhet të rindërtohen. 83,745 banesa u dëmtuan pjesërisht ose lehtë, duke pasur nevojë për riparim. Masa e banesave të dëmtuara është sa 18% e njësive totale të banesave. Efektet e përgjithshme vlerësohen në 696.3 milion euro (85.68 miliardë lekë), ndërsa rikuperimi dhe rindërtimi vlerësohen në 803 milion euro (99.301 milion lekë) për një periudhë afatshkurtër, të mesme dhe të gjatë.
Infrastruktura: Nga totali i dëmeve dhe humbjeve në këtë sektor, që arrin në 33,42 milionë euro (4.11 miliardë lekë), një e treta i përket bashkisë së Durrësit.
Prodhimi: Efektet totale të vlerësuara për sektorin janë 150,48 milionë euro. Turizmit pësoi më shumë dëme dhe humbje me 90.24 milion Euro (11.1 miliardë lekë), shumica e të cilave është për shkak të humbjeve nga një rënie e pritshme e vizitorëve të huaj mes viteve 2020 dhe 2022. Biznesi dhe Punësimi janë në rend të dytët më të prekurit me 53 milion euro (6.5 miliardë lekë) dëme dhe humbje, pjesa më e madhe shkon në 714 biznese në prodhim dhe tregti.
Trashëgimia Kulturore: Dy muze kombëtar dhe tre muze lokal u klasifikuan si të pasigurt dhe janë akoma të mbyllur për publikun, ndërsa 23 monumente dhe site shtesë u klasifikuan si me rrezik të lartë dhe 30 monumente të tjera si rrezik mesatar.
Bujqësia: Dëmet ishin të vogla dhe kanë të bëjnë me inputet dhe pajisjet bujqësore. Ka pasur dëme në argjinaturat dhe stacionet e kullimit të ujit në Durrës dhe Lezhë, si dhe në Institutin për Sigurinë e Ushqimit dhe ndërtesën e Veterinarisë.
Nevojat e rimëkëmbjes në këtë sektor arrijnë në 51.83 milion euro (6.4 miliardë lekë), mbi gjysma është në sektorin e Biznesit dhe Punësimit me 27.84 milion euro (3.4 miliardë lekë), i ndjekur nga turizmi me 10.88 milion euro (1.3 miliardë lekë) .