Xhufi: Me 100-vjetorin e shtetit, të kujtojmë dhe jubileun e antishtetit

“Duhet të ndahet kufiri mes atdhetarisë dhe tradhtisë ndaj kombit”.

Historiani dhe diplomati i njohur, Pëllumb Xhufi, në një intervistë për gazetën “Shqip” deklaroi se Berisha ka bërë një kthesë në lidhje me vlerësimin e Luftës Nacional Çlirimtare, por politika zyrtare, sipas Xhufit, “Ka shumë zhvendosje vlerash e personalitetesh, që janë prodhuar këto kohë, edhe për “meritë” të z. Berisha e të zonjës Topalli”. Në intervistën për “Shqip”, Xhufi thekson se në vlerësimin e Kryeministrit janë përmendur vetëm kontributi i ushtarakëve britanikë, duke harruar amerikanët…
Profesor, dje Kryeministri, për herë të parë, ka prekur të ashtuquajturin “tabu” të figurës së Qemal Stafës, duke qenë se ka një disbalancë në vlerësimin që i është bërë figurës së ish-kreut të Rinisë Komuniste Shqiptare. Gjatë gjithë këtyre viteve, kemi pasur një qëndrim ndryshe të PD-së ndaj Qemal Stafës. Si e konsideroni këtë ndryshim?
Në fakt, ra në sy kjo vërvitje kundër figurës sublime të Qemal Stafës, e pranuar si e tillë pak a shumë nga të gjithë shqiptarët, në një kohë, që për çështjet e tjera të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare na befasoi një kthesë mbresëlënëse e Kryeministrit, do të thosha një kthesë “në drejtimin e duhur”. Në fakt, ai nuk u mor fare me Qemal Stafën, por me rrugë dhe objekte që mbajnë emrin e tij. Ndaj mendoj se mund ta ketë hallin gjetkë Kryeministri, thjesht mund të ketë planifikuar shkatërrimin e stadiumit “Qemal Stafa”, për të ndërtuar aty ndonjë pallat. Nëse z. Berisha e ka vërtet me personazhin, d.m.th. me Qemal Stafën, atëherë na duhet t’i kujtojmë që ishte sakrifica sublime e Qemal Stafës dhe e Vojo Kushit, e Perlat Rexhepit dhe e Manush Alimanit, e Bule Naipit dhe e Persefoni Kokëdhimës, e Ndoc Mazit dhe e shokëve të tij të Vigut, e Zaho Kokës dhe e Mustafa Matohitit, që elektrizoi dhe hodhi në luftë rininë shqiptare. Dhe çfarë rinie! Djemtë dhe vajzat më të mirë, më të bukur, më të shkolluar, më patriotët dhe më idealistët. Me shqetësimin e një babai të kombit, tashmë, z. Berisha u shpreh se duhet hequr diçka nga “torta” e lavdisë dhe e                                                               meritave të luftës së luftëtarëve “të kuq”, për t’iu dhënë diçka edhe të tjerëve. Por le të thotë emrin e një të riu “ballist” apo “legalist”, që të ketë rënë, të ketë tronditur e të ketë frymëzuar si djaloshi Qemal Stafa, i cili ra në lulen e rinisë, si hero e xhentëlmen i vërtetë, me kostum e kravatë, me çantë, me syzet karakteristike dhe me revole në dorë, duke luftuar kundër xhelatëve të tij, shumë nga të cilët ishin nga ata “nacionalistët” e përhershëm shqiptarë, me mustakë e pa dinjitet, të gatshëm për t’i shërbyer kundrejt pagesës cilitdo pushtues të huaj.
 Berisha foli dje, që, në kuadrin e 100-vjetorit të shtetit, do të duhet të njihet efekti vëllavrasës i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Një aspekt që është theksuar nga disa studiues, por është kundërshtuar nga të tjerë. Vlerësimi i historisë së Luftës së Dytë Botërore, si duhet të bëhet sipas jush?
Në fakt, Kryeministri e vlerësoi Luftën Antifashiste si një faqe të ndritur dhe të paprekshme të historisë së Shqipërisë, si faktorin që e lidhi popullin shqiptar me koalicionin e madh antifashist të përbotshëm dhe që garantoi integritetin e tij territorial, në një kohë kur fqinjët ballkanikë dhe tutorët e tyre tentuan, pas luftës, të rrëmbenin Shqipërinë e Jugut. Akoma më shumë, z. Berisha pranoi më në fund, se, në sajë të kësaj lufte të forcave partizane, u hapën perspektiva të reja për zgjidhjen e thelbit të çështjes kombëtare shqiptare, bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Fryt i kësaj lufte ishin edhe vetë deklaratat e Titos në 1943, sipas të cilave, pas luftës, Kosova duhet t’i rikthehej Shqipërisë. Pa këtë luftë çlirimtare nuk do të kishte pasur as Konferencë të Bujanit në janarin e vitit 1944, ku siç dihet, u vendos organizimi i një plebishiti pas luftës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. M’u duk se z. Berisha bëri një “indietro” të fortë edhe për sa i përket përcaktimit arbitrar të LANÇ-it, si një luftë civile. E pranoi se nuk ishte një luftë civile, edhe pse shtoi se pati elemente të luftës vëllavrasëse. Pa çka, mirë edhe kaq, si fillim. Shpresojmë që në ditët që do të vijnë, z. Berisha do t’i ndreqë edhe më tej marrëdhëniet e tij problematike me historinë. Shpresoj të gjejë ekuilibrin e duhur edhe për rolin e misioneve britanike në Shqipëri gjatë luftës. I paraqiti misionarët anglezë si ideatorët dhe organizatorët e vërtetë të Rezistencës Antifashiste. Na bëri të përlotemi kur na kujtoi sakrificat e panumërta të “taksapaguesve” anglezë, për të furnizuar me armë, ushqime e veshmbathje partizanët shqiptarë. Çudi, në albumin familjar kam me dhjetëra fotografi partizanësh e njësitesh partizane, të cilët rrallë herë qëllojnë të kenë ndonjë armë, ndonjë kapotë apo ndonjë kapele angleze. Lëre, lëre pastaj, të thuash që njësitet partizane, duke nisur me vetë Brigadën I-rë, u krijuan nga britanikët, kjo është                                                               t’ia heqësh vetes. Nuk e di se ku e ka hallin në këtë pikë Kryeministri. Ndoshta është në prag të ndonjë transaksioni të madh ekonomik a financiar me Britaninë e Madhe, ndoshta ka ndonjë vizitë të rëndësishme në Londër apo ka fiksuar ndonjë takim me Ambasadorin britanik, këtu në Tiranë, dhe si përherë dëshiron të bëjë figurë të mirë, duke treguar zemër e mirënjohje planetare. Vërtet, Britania e Madhe ka një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, sigurisht jo gjithnjë pozitiv. Zotin Berisha nuk do ta kundërshtonte askush, sikur të shpenzonte ndonjë fjalë të mirë, madje edhe ndonjë monument, për Kryeministrin anglez, lordin Beaconsfield dhe Ambasadorin e tij në Stamboll, Goschen, të cilët e mbrojtën Shqipërinë nga copëtimi i parë që donin t’i bënin në 1878, në Kongresin e Berlinit. Po ashtu, për Edith Durhamin, Sir Ayer Herbert e Sir Arthur Evans, mbrojtës të flaktë e të sinqertë të kombit shqiptar dhe të historisë së tij. Por nuk do ta meritonin një trajtim të tillë nga ne shqiptarët kryeministrat e mëvonshëm, Looyd George e VVinston Churchill. I pari, pas Luftës I Botërore, ishte gati ta kompozonte Ballkanin sipas hartave që i vinte tinëzisht mbi tryezë miku i tij grek, Venizellos. I dyti e kishte ndarë mendjen që në vitin 1941, t’ia falte Shqipërinë e Jugut Greqisë. Këtë nuk ia falën as Zogu, as Mithati e as Enveri, sidomos ky i fundit. Kështu qëndrojnë punët, pa çka që sot e gjithë ditën shumë deputetë të Kuvendit i fillojnë fjalimet e tyre me citate “bombastike” të Churchill-it. E në këtë kuptim, guxoj të them se meritojnë shumë më tepër një përkujtesë e një monument ato 20 infermieret heroike amerikane, që pas rrëzimit të avionit mbi malet e Gramshit, për muaj të tërë u strehuan në familjet e thjeshta                                                               shqiptare, ku u shoqëruan dhe u mbrojtën me dashuri e vetëmohim, duke vënë një gur vërtet modest, por të patundshëm, në miqësinë e shqiptarëve me amerikanët. Sa për misionarët anglezë, ata, në funksion të planeve të veta strategjike e operative, erdhën sigurisht për të inkurajuar rezistencën në prapavijat gjermane, por edhe për të përgatitur ardhjen në pushtet të një klase politike të shitur e të korruptuar, e cila ishte në gjendje, që pas luftës të nënshkruante çdo projekt të hartuar nga Churchill-i për rregullimin e Ballkanit të pas-luftës, sigurisht në dëm të Shqipërisë. Ndaj, do të prisnim që, në kuadër të “ridimensionimit” të figurave, z. Berisha të vlerësonte më shumë rolin e luftëtarëve shqiptarë e të mos kuturiset në role të pamerituara të anglezëve “të tij”, si gjoja ideatorë, krijues e furnizues zemërgjerë të formacioneve partizane. E në këtë kuadër, le t’i njohë ndonjë meritë edhe amerikanëve: në fund të fundit, armët e veshjet që shkarkoheshin për luftëtarët shqiptarë ishin më së shumti të prodhimit amerikan. Megjithatë, panorama me anglezët nuk është edhe aq tragjike sa po e përshkruaj unë, sepse pas Churchill-it, erdhi Tony Blair…
Në 20 vitet e fundit ka pasur një denigrim të figurave historike, që në terminologjinë e kohës quheshin si “përfaqësues të vegjëlisë”, pra, jo produkt i shtresave të pasura dhe me tituj. Si p.sh: Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri që s’përmendet fare etj. Në vlerësimin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, si duhet listuar kontributi i atyre personaliteteve që dhanë për konsolidimin e shtetit shqiptar?
Ka një tentativë të përsëritur të vetë Kryeministrit, për të lënë në harresë figurat emblematike të Rilindjes e të Pavarësisë, e për të pompuar disa të tjera. Sigurisht, ka një përzgjedhje të mirëllogaritur në këtë mes. Promovohen figura pashallarësh, bejlerësh, krerësh fisesh, të lidhur materialisht e shpirtërisht me regjimin e vjetër, pra, me sundimin osman dhe anashkalohen apo edhe sulmohen përfaqësuesit e klasës së re të idealistëve, intelektualëve e patriotëve rilindas, ata që sollën idetë, që dhanë rrugëzgjidhjet dhe që falën jetë e pasuri për të realizuar Shqipërinë e pavarur e sovrane. Pra, i bëhen hozanara asaj elite politike, të korruptuar e antikombëtare, që për 500 vjet u shkri me pushtetin dhe administratën osmane e që s’bëri asgjë për vendin e vet, duke nënshkruar dorëzime qytetesh, dhënie koncesionesh, falje territoresh, krijime federatash serbo-shqiptare apo greko-shqiptare. Shembulli i Esad Pashës duhet të tronditë gjithkënd, por ky s’është i vetmi. Fryhet tej çdo mase figura e Ahmet Zogut, mikut të Serbisë, shitësit të Shën Naumit, vrasësit të Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës e Bajram Currit dhe, në fund, ikësit të madh. Çohen në piedestal lloj-lloj klerikësh katolikë, ithtarë të Shqipërisë së “kantoneve”, deri edhe frati-kuisling Anton Harapi dhe lihen në heshtje e harresë Ndre Mjeda, Dom Nikollë Kaçorri dhe një armatë e tërë katolikësh, që vunë bazat e shtetit unitar e shekullar shqiptar, që nga Vaso Pasha, Hil Mosi, Nikollë e Mirash Ivanaj. Heshtet për Papa Kristo Negovanin, për At Stath Melanin, për Petro Nini Luarasin, ndërsa politikanët e historianët puthadorë rendin t’i puthin dorën Janullatosit, ndërsa ky drejton mesha e inauguron kisha-bunker, ku vritet shqiptaria dhe predikohet helenizmi. Përkujtohen e nderohen klerikë, sa myslimanë, aq edhe ortodoksë e katolikë, nga ata që ishin kundër alfabetit latin e kundër shkrimit shqip, nga ata që ishin jargavitur pas pushtuesit osman dhe që më vonë pritën me lule sa ushtritë e serbit, aq edhe ato të                                                               grekut, të Duçes e të Hitlerit. Ka shumë zhvendosje vlerash e personalitetesh, që janë prodhuar këto kohë, edhe për “meritë” të z. Berisha e të zonjës Topalli, saqë shpeshherë mendoj se pas këtij 100-vjetori të bujshëm të shtetit shqiptar, do ia vlente barra qiranë të përkujtohej edhe 100-vjetori i antishtetit shqiptar, duke kaluar në skaner të gjithë ata që në këta 100 vjet bënë gjithçka për t’i vënë minat Shqipërisë. Ndoshta kështu, kufijtë mes vlerës dhe antivlerës, midis atdhetarisë dhe tradhtisë, që tani janë ngatërruar keq, do të bëheshin më të qarta, sidomos për të rinjtë tanë.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT