Ushtarët amerikanë tentojnë vetëvrasjen, alarmi në SHBA, dislokim rekord në det për luftën me Iranin

Familjet e ushtarakëve dhe anëtarë të Kongresit amerikan kanë ngritur alarmin për një krizë të të shëndetit mendor në bordin e aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln, ku rreth 5 mijë marinsa dhe detarë po përballen me një dislokim rekord në det, të lidhur me luftën me Iranin.

Sipas raportimeve të Navy Times dhe Stars and Stripes, disa pjesëtarë të ekuipazhit dyshohet se kanë tentuar të hidhen në det ndersa kushtet e vështira dhe presioni psikologjik pas muajsh të gjatë larg familjeve kanë arritur në nivele shqetësuese. Ekuipazhi ndodhet tashmë në muajin e nëntë të qëndrimit në det dhe ka kaluar 250 ditë rresht pa prekur tokën, një periudhë rekord për një aeroplanmbajtëse amerikane në kohët moderne.

“Nuk është e pazakontë që gjatë një dislokimi një grup luftarak të përballet me raste kur dikush tenton të hidhet në det ose shpreh dëshirën për të kryer vetëvrasje. Natyrisht, kjo nuk ndodh çdo ditë, por raste të tilla ndodhin. E urrej ta them këtë, por është diçka që mund të pritet”, tha Rmen Kurdian, ish-kapiten i Marinws.

Shqetësimi i familjeve u bë publik gjatë një takimi të tensionuar me drejtues të Marinës amerikane në San Diego, të enjten e kaluar. Rreth 200 familjarë morën pjesë në takimin ku shprehën frikën dhe ankthin për gjendjen e të afërmve të tyre në bordin e anijes.

USS Abraham Lincoln u nis nga San Diego më 21 nëntor, fillimisht drejt Paqësorit, por u devijua për në Lindjen e Mesme pas nisjes së luftës SHBA-Izrael kundër Iranit. Dislokimi, i cili duhej të përfundonte në maj, është zgjatur disa herë, ndërsa në bord janë raportuar mungesa ushqimesh, probleme me ujin, dushet, mykun dhe lavatriçet.

Kritikat për kushtet janë hedhur poshtë nga Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, ndërsa Marina amerikane pranoi se dislokimet e gjata ushtrojnë presion të madh mbi ushtarakët dhe familjet e tyre.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT