“E tmerruat regjimin”, Berisha përmbyll protestën me të njëjtën “këngë”, demokrati entuziazmohet nga fjalët e liderit të tij, shkon dhe e puth

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përmbyllur protestën e shtatë kombëtare në ambientet e selisë blu. Pas tensioneve të regjistruara në terren, ku kësaj here u përdor më tepër spraj dhe gaz lotsjellës, Berisha u shfaq në shkallët e selisë së Partisë Demokratike duke falënderuar mbështetësit për pjesëmarrjen dhe qëndresën e treguar.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar kryepolicin e ri Skënder Hita për të sulmuar deputetët demokratë, ku disa prej tyre përfunduan në spital me djegie dhe në gjendje të rënduar si pasojë e gazit të hedhur ndaj tyre.
Berisha dënoi ashpër përdorimin e mjeteve të forta nga ana e policisë, duke e cilësuar situatën si një përshkallëzim të papranueshëm ndaj protestuesve dhe opozitës.
“Luciano Boçi është në spital me djegie, Flamur Noka përsëri pësoi goditje, por vazhdon detyrën. Klevis Balliu në spital, në spital janë drejtues të tjerë, Aulon Kalaja, gazetari i goditur personalisht edhe në një hakmarrje për qëndrimet e tij ndaj regjimit. Drejtues të tjerë të PD janë të plagosur”, tha Berisha.
Në përfundim, ish-kryeministri ritheksoi qëndrimin e tij se protesta do të vijojë dhe se, sipas tij, qytetarët “tmerruan” kryeministrin Edi Rama. Kjo deklaratë u prit me entuziazëm nga mbështetësit e pranishëm, ndërsa një prej tyre iu afrua dhe e puthi.
Çfarë ndodhi sot:
-Protesta e Partisë Demokratike u zhvillua për rreth dy orë e gjysmë, e shoqëruar me tensione, përplasje dhe përdorim molotovësh ndaj institucioneve dhe forcave të rendit. Tubimi pati fjalime, ndërsa kulmoi me përplasje mes militantëve dhe policisë pranë Kuvendit.
-Protesta nisi në orën 17:30. Kreu i PD-së, Sali Berisha, së bashku me mbështetësit marshuan nga selia blu drejt Kryeministrisë.
-Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë. Policia reagoi me gaz dhe spraj lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën.
-Deputetët e PD-së Klevis Balliu, Luçiano Boçi dhe gazetari Aulon Kalaja mbetën të plagosur si pasojë e sprajit lotsjellës të hedhur ndaj tyre. Ata u dërguan me urgjencë në spital, ndërkohë që i lënduar mbeti edhe Flamur Noka, i cili refuzoi të shkonte në spital dhe vijoi të qëndronte në protestë.
-Tensionet u zhvendosën më tej në afërsi të Kuvendit ku dhe policia po qëndronte gardh. Ata nuk lejuan që protestuesit të kalonin kordonin dhe të afroheshin drejt Parlamentit. Policia ndërhyri përsëri me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
– Si pasojë e sulmit me bomba molotov dhe lëndë piroteknike nga një grup protestuesish, është dëmtuar një punonjës policie i Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilit i ka shpërthyer një kapsollë në trup. Ai u dërgua në spital.
-Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmbylli protestë në shkallët e selisë blu. Ai falënderoi mbështetësit dhe paralajmëroi protestën e radhës.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
Sot, në emër të Lubi Ballukut dhe Edi Ramës, Skënder Balluku që mori drejtimin e narkopolicisë shënjestroi dhe goditi drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike. Luciano Boçi është në spital me djegie, Flamur Noka përsëri pësoi goditje, por vazhdon detyrën. Klevis Balliu në spital; në spital janë drejtues të tjerë, Aulon Kalaja, gazetari i goditur personalisht edhe në një hakmarrje për qëndrimet e tij ndaj regjimit. Drejtues të tjerë të PD janë të plagosur.
Sot, Sokol Balluku ka përdorur bombat kundër protestuesve, granatat e zhurmës që quhen, dhe kanë plagosur disa prej tyre, kanë hedhur shishe molotov dhe kanë plagosur edhe protestues, por edhe policë, sepse u duheshin si dëshmitarë të gjoja akteve të protestuesve. Dënoj me forcën më të madhe dhe siguroj se forcë në botë nuk ka që të na mposhtë.
Mirënjohjen dhe nderimin më të madh ndaj jush, gra dhe burra, djem dhe vajza të pamposhtur. Shumë shpejt do të caktohet data, nuk tërhiqemi ne, kryengritja paqësore nuk gjen të sprapsur. Të gjitha format e protestave do të përdoren, kjo është kryengritje paqësore që ka për mision përmbysjen e narkoregjimit të Edi Ramës. Ky mision është misioni i Partisë Demokratike, por edhe i forcave të tjera politike opozitare, i shoqërisë civile, i grupeve të tjera të interesit, për të cilat do të bëjmë gjithçka të bashkohemi në një front të përbashkët për t’i dhënë shtytjen përfundimtare këtij regjimi.
Por kjo kryengritje nuk ka të ndalur. kjo është bërë, ka një mbështetje sa shqiptare aq edhe botërore. E tmerruat sot regjimin.