Donald Trump e nominoi për ambasador në Shqipëri, DASH me profil të detajuar për Eric Wendt, gjeneralin që ka bashkëpunuar dhe trajnuar forcat shqiptare

Presidenti Donald Trump ka nominuar Eric Wendt për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë. Nominimi është shoqëruar së fundmi me një raport të detajuar të Departamentit Amerikan të Shtetit, i dorëzuar për shqyrtim në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit amerikan, ku paraqiten arsyet dhe kualifikimet që mbështesin këtë përzgjedhje.

Sipas profilit zyrtar, Gjeneral Lejtnant në pension Eric Wendt aktualisht shërben si Profesor i Praktikës në Shkollën Pasuniversitare të Marinës (Naval Postgraduate School-NPS), ku ligjëron mbi komandimin dhe lidershipin. Gjatë karrierës së tij ushtarake, ai ka mbajtur role kyçe në strukturat e sigurisë ndërkombëtare, përfshirë angazhimin në Evropë si Komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s.

Në këtë detyrë, Wendt drejtonte të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara për NATO-n, përfshirë edhe njësitë shqiptare, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtues të mbrojtjes dhe forcat e armatosura në Shqipëri. Ai ka gjithashtu përvojë direkte në rajon përmes shërbimit në Afganistan, ku për një vit mbajti postin e Zëvendëskomandantit Rajonal, duke mbikëqyrur edhe kontingjentet shqiptare të dislokuara atje.

Me mbi 34 vite shërbim aktiv, Wendt ka mbajtur një sërë pozicionesh të larta drejtuese, duke menaxhuar organizata komplekse me mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional. Përveç karrierës ushtarake, ai ka kontribuar edhe në diplomaci, duke shërbyer për dy vite në Departamentin Amerikan të Shtetit si pjesë e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem. Në këtë rol, ai drejtoi një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.

Departamenti i Shtetit thekson se përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia për të menaxhuar struktura shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe njohja e thellë e rajonit evropian e bëjnë Wendt një kandidat shumë të kualifikuar për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Shqipëri.

Në aspektin akademik, Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, si dhe një diplomë Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kaliforni. Ai zotëron gjithashtu njohuri në gjuhën arabe dhe koreane.

Për kontributin e tij ndër vite, ai është vlerësuar me një sërë dekoratash dhe çmimesh prestigjioze, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Yllit të Bronzit dhe Çmimin e Nderit të Lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT