Protesta për Kosovën Lindore dhe Mitrovicën
Lëvizja për Bashkim sot në Prishtinë mbajti një protestë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie qytetare për procesin e bisedimeve dhe rezultatet e saj.
Qytetarëve të mbledhur, me fjalën e tyre, iu drejtuan: Avni Klinaku, Kryetar i Lëvizjes për Bashkim, Dr. Musa Miftari, Kryetar i OJQ “Bregu i Veriut”, Sejdullah Kadriu, Kryetar i Shoqatës “Vatra”, dhe Deputeti i LB-së në Kuvendin e Kosovës, Agim Kuleta.
Avni Klinaku, në fjalën e tij para shumë qytetarëve te tubuar, tha se Kosova që nga fillimi i bisedimeve me Serbinë është pozicionuar gabimisht, sepse në Bruksel ka shkuar për t’i mbrojtur kompromiset e mëhershme të mishëruara në Pakon e Ahtisarit dhe në Kushtetutën e Kosovës e jo për t’i shtruar për zgjidhje problemet që Kosovës i kanë mbetur pas shpalljes së pavarësisë, siç janë spastrimi etnik i pjesës veriore të Mitrovicës e çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore të mbetur nën Serbi.
Kryetari i LB-së tha se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi pa kthimin e shqiptarëve në pronat e veta në Mitrovicë dhe pa bashkimin e qytetit të Mitrovicës, si dhe pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës Lindore.
Musa Miftari, që është ndër qytetarët shqiptarë që vazhdon të jetoj në një pjesë shumë të rrezikuar të veriut të Mitrovicës, Lagjes së Doktorëve, shprehu pakënaqësinë e tij të thellë për sjelljen e institucioneve të Kosovës ndaj veriut të vendit, dhe trajtimin e kësaj pjesë në bisedimet me Serbinë.
Sejdullah Kadriu, si përfaqësues i shqiptarëve të dëbuar nga Kosova Lindore, foli rreth angazhimit të vazhdueshëm të shqiptarëve të këtyre pjesëve në mbështetje të proceseve të ndryshme në Kosovë dhe në të njëjtën kohë shprehu zhgënjimin për anashkalimin e tyre nga institucionet e Kosovës.
Në fund, qytetarëve ju drejtua edhe deputeti i LB-së në Kuvendin e Kosovës, Agim Kuleta. Ai deklaroi se si Lëvizje për Bashkim, deri më sot, i ka shfrytëzuar të gjithë mekanizmat institucional për ta ndalur këtë proces të bisedimeve, apo për ta ndërtuar atë mbi një platformë politike e cila do të përmbante edhe çështjen e Kosovës Lindore dhe bashkimin e Mitrovicës. Në vazhdim, ai shpalosi kërkesat e protestës që: të ndërpriten këto bisedime me Serbinë; të hartohet platforma politike, e cila do të përmbante çështjen e Kosovës Lindore dhe të bashkimit të Mitrovicës dhe Platforma politike të miratohet në Kuvendin e Kosovës, etj.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.