Belinda Balluku përgëzon kryeministrin Rama për marrëveshjet miliarda dollarëshe me SHBA-në: Krenare për rolin kyç që ka fituar Shqipëria (REAGIMI)

Drejtuesja politike e Partisë Socialiste e Fierit, njëherazi dhe ish-ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka përgëzuar kryeministrin Rama për marrëveshjen e arrirë mes Shqipërisë dhe SHBA-ve që synon furnizimin e Europës Jugore me gaz natyror të lëngshëm.

Në një postim të bërë në faqen e saj zyrtare në Instagram, Balluku shprehet krenare për punën e arrirë në sektorin e energjetikës, i cili mundëson një partneritet më të ngushtë të vendit tonë me SHBA-të duke garantuar dhe rritje ekonomike të Shqipërisë.

“Në këtë frymë, projekte ambicioze si Parku Eolik i Tropojës me kapacitet mbi 600 MË, i lançuar pak muaj më parë, dëshmojnë qartë vizionin për ta kthyer Shqipërinë në një hub energjetik rajonal të bazuar në burime të qëndrueshme.

Ndërkohë sot, firmosja e dy marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e energjisë forcon më tej këtë drejtim dhe konsolidon rolin e vendit si një nyje strategjike në Ballkan. 6 miliardë dollarë investime e pozicionojnë Shqipërinë si një pikë kyçe për hyrjen dhe përdorimin e gazit të lëngshëm amerikan (LNG) në rajon, duke rritur ndjeshëm rëndësinë gjeopolitike të vendit dhe duke kontribuar në diversifikimin e burimeve energjetike për Europën” shkruan Balluku në postimin e bërë.

Pas falenderimeve të dedikuara ndaj kryeministrit Rama për punën e bërë, Balluku u shpreh mirënjohëse dhe ndaj ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle e cila mundësoi realizimin e këtij bashkëpunimi historik.

Në përmbyllje të reagimit të saj, Balluku nënvizon se marrëveshjet e arrira nuk ndikojnë vetëm në rritjen financiare të Shqipërisë por dhe në përmirësimin e  fushave kryesore të jetës.

“Angazhimi amerikan nuk është vetëm financiar, por sjell standarde të reja, teknologji të avancuara dhe rritje të transparencës, duke forcuar klimën e biznesit dhe duke tërhequr investime të tjera ndërkombëtare. Kjo dinamikë pozitive dëshmon se Shqipëria po shndërrohet në një partner të besueshëm strategjik dhe një faktor stabiliteti në rajon.

Në një kohë kur siguria energjetike është prioritet global, ky partneritet i ngushtë me SHBA-të e vendos Shqipërinë në një pozicion të favorshëm për të luajtur një rol kyç në të ardhmen energjetike të Ballkanit dhe më gjerë” përmbyll deputetja socialiste.

Postimi i Belinda Ballukut: 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT