Aksioni i policisë për goditjen e lojërave të jashtëligjshme të fatit, shpërthen ish-ministri: Kapni hallexhinjtë dhe toleroni mafiozët

Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka komentuar aksionin e fundit të Policisë së Shtetit, ku janë arrestuar disa persona në qarkun e Lezhës dhe të Tiranës, pasi ushtronin aktivitetin e jashtëligjshëm të lojërave të fatit.
Në një postim në Facebook, Malaj shkruan se arrestohen disa persona që fitojnë “disa euro”, ndërkohë sipas tij, “bosët me lidhje të thella politike që vazhdojnë të vjedhin deri në 1 miliard euro nga mosformalizimi i lojërave të fatit dhe basteve sportive”.
Ish-iminitri këtë e quan kapje të shtetit nga mafia e lojërave të fatit dhe se diçka e tillë, është e rrezikshme.
Postimi i Malajt:
Keni arrestuar disa qindra shqiptarë dhe keni arkëtuar disa euro. Por, mos penalizoni ata që lozin, por bosët me lidhje të thella politike që vazhdojnë të vjedhin deri në 1 miliard euro nga mosformalizimi i lojërave të fatit dhe basteve sportive.
Kjo është kapje shteti nga mafia e lojërave të fatit dhe e basteve sportive.
Kjo është shumë e rrezikshme, sepse
paratë kriminale nga këto të ardhura të palejuara dhe të paligjëruara
i përdorin për të kriminalizuar ekonominë dhe politikën.