Veliaj kundërshton SPAK-un për masën e sigurisë: Po dilni krah një prokurori që nuk ka shkollimin e duhur! Keni penguar mirëqeverisjen e Tiranës (KËRKESA)

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese kundërshtimet e tij në lidhje me prapësimet e paraqitura nga SPAK për masën e sigurisë të caktuar ndaj tij.
Referuar kërkesës së siguruar nga burimet, sipas Veliajt caktimi i masës së sigurisë ndaj tij është një sulm institucional ndaj demokracisë.
Më tej shkruhet prokuroria ka konsideruar sulm depozitimet e kërkesave të Veliajit për verfikimin e ligjshmërisë së mandatit të Ols Dados, për të cilin kryebashkikaku ka kërkuar të nisin hetimet me pretendimin se ky i fundit nuk ka arsmimin e duhur për të ushtruar profesionin e tij.
Për të cilën theksohet se depozitimi i kësaj kërkesë nuk shkakton asnjë konflikt me bashkinë e Tiranës, me argumentimin se Veliaj qëndron në krye të Bashkisë, diçka që është konfirmuar dhe nga Kushtetuesja.
Sipas kërkesës së depozituar së fundmi thuhet se konflikti i vërtetë institucional është shkaktuar nga SPAK, për të cilin shkruhet se po ndërhyn në çështjen e Veliajt duke i dalë në mbrojtje Ols Dados.
Ndërsa në përmbyllje të kërkesës shkruhet se paraburgimi pa afat i Veliajt ka tejkaluar çdo standard profesional dhe ka penguar mirëqeverisjen e kryeqytetit.
Kujtojmë se më 9 Shkurt GJKKO vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 20 Shkurtit 2025, mbi të rëndojnë 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani, për të cilat SPAK pretendon se Veliaj ka përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme. Sipas hetimeve, këto kompani kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
KËRKESA:
Prapësimet e prokurorisë paraqesin argumente thellësisht problematike për shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
1. Në mënyrë të paprecedent, prokuroria argumenton se vetë autoriteti demokratik i një të zgjedhuri vendor përbën në vetvete rrezik për hetimin penal. Në prapësimet e saj ajo shprehet se: “Edhe pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë, vetë autoriteti i rikthyer krijon presion objektiv mbi vartësit, duke cenuar spontanitetin dhe lirinë e dëshmisë.” Sipas kësaj logjike, legjitimiteti demokratik i një të zgjedhuri nuk trajtohet si shprehje e sovranitetit të qytetarëve, por si faktor presioni procedural që duhet neutralizuar përmes paraburgimit. Një qasje e tillë përbën një sulm institucional ndaj demokracisë dhe një mandati demokratik të konfirmuar si të tillë edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese.
2. Po aq shqetësues është argumenti tjetër i prokurorisë: se një mbrojtje aktive dhe plotësisht kushtetuese nga ana e Erion Veliajt përbën arsye për vijimin e paraburgimit të tij. Prokuroria e konsideron sulm ndaj hetimit depozitimin nga ana e Erion Veliajt dhe Bashkisë së Tiranës të një padie administrative për verifikimin e ligjshmërisë së mandatit të njërit prej prokurorëve të çështjes. Sipas saj, vetë kërkimi i këtij kontrolli gjyqësor justifikon vazhdimin e paraburgimit. Kjo do të thotë se e drejta kushtetuese për akses në gjykatë dhe për verifikimin gjyqësor të mandatit të një zyrtari publik kthehet në arsye për të mbajtur në burg personin që e ushtron këtë të drejtë. Në këtë logjikë, ushtrimi i të drejtave kushtetuese nga qytetarët do të kthehej nga një garanci mbrojtjeje në një rrethanë rënduese për lirinë personale.
3. Po aq i pabazuar është edhe pretendimi se depozitimi i kësaj padie administrative përbën përpjekje për të krijuar konflikt institucional duke përdorur Bashkinë e Tiranës. Erion Veliaj është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i konfirmuar si i tillë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë cilësi ai është përfaqësuesi ligjor i institucionit. Masa e sigurimit ndaj kreut të këtij institucioni ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e Bashkisë së Tiranës, pasoja që qytetarët e kryeqytetit i konstatojnë çdo ditë. Për rrjedhojë, vetë institucioni ka interes të drejtpërdrejtë dhe legjitim aktiv për të verifikuar ligjshmërinë e mandatit të një prokurori, veprimtaria e të cilit ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta për Bashkinë e Tiranës duke pezulluar në mënyrë efektive nga ushtrimi i detyrës kryetarin e zgjedhur të saj.
E vërteta është e kundërta e asaj që pretendohet. Konflikti institucional është krijuar nga vetë Prokuroria e Posaçme, e cila po ndërhyn institucionalisht për të mbrojtur një prokuror, mandati i të cilit është aktualisht në verifikim para gjykatës administrative. Një institucion serioz duhet të presë vendimin e gjykatës dhe të shmangë çdo veprim që mund të interpretohet si përpjekje për të ndikuar në një proces gjyqësor në zhvillim. Vetë fakti që mandati i prokurorit Olsi Dado është në shqyrtim gjyqësor duhet të ishte një shqetësim institucional për çdo organ të sistemit të drejtësisë. Në një situatë të tillë, standardi ligjor do të kërkonte respekt për procesin gjyqësor dhe mosndërhyrje institucionale (i paditur është personi Olsi Dado, jo institucioni) deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
4. Në kundërshtimet e depozituara në Gjykatën Kushtetuese theksohet gjithashtu se paraburgimi pa afat i Erion Veliajt ka tejkaluar çdo standard proporcionaliteti dhe çdo standard të vendosur nga Komisioni i Venecias për të zgjedhurit vendorë. Paraburgimi nuk mund të zgjatet në mënyrë të pakufizuar mbi të njëjtat arsye fillestare dhe pa rrethana të reja konkrete që ta justifikojnë atë, aq më tepër kur kjo masë po rëndon mbi mirëqeverisjen e kryeqytetit dhe bëhet fjalë për një të zgjedhur vendor që vetë ligji nuk lejon të pezullohet nga detyra.
Në një shtet të së drejtës, paraburgimi nuk mund të përdoret si instrument për të neutralizuar autoritetin demokratik të një të zgjedhuri, për të ndëshkuar ushtrimin e të drejtave kushtetuese të mbrojtjes apo për të shfuqizuar në praktikë të drejtën qytetare të vetëqeverisjes.
Për këtë arsye, Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar të vlerësojë nëse në këtë rast kemi të bëjmë thjesht me një masë sigurimi, apo me krijimin e një precedenti që rrezikon standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor, të drejtës për mbrojtje dhe funksionimit normal të institucioneve demokratike.