Kolonel Demiraj ngre ALARMIN: Ambasada amerikane nuk jep paralajmërim pa qenë të paktën 70% e sigurt për rrezikun e mundshëm, Shqipëria ka kapacitete ta përballojë

Në një intervistë për Euroneës Albania, Kolonel Dritan Demiraj ka folur mbi rrezikun e celulave të fjetura terroriste në Shqipëri, pas paralajmërimeve të ambasadës amerikane dhe rritjes së nivelit të gatishmërisë së institucioneve të sigurisë.
Në lidhje me “celulat e fjetura” ai tha se gjithmonë kanë ekzistuar kudo dhe janë aktivizuar ne momente të caktuara.
“Koha ka treguar që edhe në vendet më të sigurta si SHBA, Britania, Franca, gjithmonë ka pasur celula të fshehta dhe rrjete bashkëpunimi të cilat në momentet e nevojshme janë aktivizuar.”-tha Demiraj.
Në lidhje me paralajmërimin e ambasadës amerikane tha se kur jepet një informacion i tillë dhe i drejtpërdrejtë, këto deklarata bëhen për publikun kur ka mundësi të larta të ndodhin. Ai tha se jo vetëm duhet rritur niveli i monitorimin por edhe parandalimit të rasteve të mundshme.
“Në të gjitha rastet këto lloj njoftimesh bëhen vetëm kur niveli i informacioneve kalon 70%, që do të thotë kalon nga një nivel në nivelin e rreziqeve dhe kërcënimeve. Pa diskutim që ka informacion, informacionet janë konkrete, nuk bëhen për publikun sepse këto janë pjesë e veprimtarisë së shërbimeve sekrete dhe forcave speciale. Ne jemi përballë këtij rreziku për shkak të opozitës iraniane që kemi strehuar në Shqipëri. Të gjitha vendimet politike që janë marrë nga qeveria e Shqipërisë janë vendime të sakta, të duhura, në kohën e duhur.”– u shpreh Dritan Demiraj për Euroneës Albania.
Sa i takon kapaciteteve që ka vendi ynë për të përballuar këtë situatë tha se vendi ynë ka pasur rezultate spektakolare në bashkëpunim dhe aleatët. Ai siguroi se institucionet shqiptare, të mbështetura nga SHBA dhe partnerët evropianë, janë të përgatitura për të përballuar çdo rrezik të mundshëm.
“Institucionet e inteligjencës të Shqipërisë, të mbrojtjes, të policisë, të shërbimit informativ kombëtar kanë treguar përgjatë tre dekadave të fundit se janë të afta për të arritur rezultate spektakolare në bashkëpunim me aleatët.”-tha Demiraj.