“Të njëjtët investitorë janë edhe në Zvërnec”, Edi Rama nxjerr shembullin nga Katari: Budallallëku nuk do ta mbajë peng Shqipërinë!

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sërish në rrjetet sociale një mesazh lidhur me projektin turistik të planifikuar në Zvërnec, duke sjellë si shembull një destinacion turistik në Katar.
Sipas Ramës, ishulli në fjalë është një nga destinacionet më të vizituara turistike të Lindjes së Mesme dhe administrohet nga brandi prestigjioz Anantara.
Ai thekson se projekti është zhvilluar nga dy vëllezërit Alkhayatt, të cilët i identifikon si bashkëpronarë të konglomeratit Powerholding, njëkohësisht blerës të tokës private dhe bashkëinvestitorë në projektin e Zvërnecit.
Reagimi i Ramës:
Ky ishull është në Katar dhe është një ndër destinacionet më të vizituara turistike të Lindjes së Mesme, i cili administrohet nga brandi prestigjoz Anantara.
E dini kush e ka zhvilluar?
Dy vëllezërit Alkhayatt, pikërisht bashkëpronarët e konglomeratit Power Holding, blerësit e tokës private dhe bashkëinvestitorët e projektit të Zvërnecit!
Tani kujt ia ha mendja se një kompani si Power Holding, vjen në Shqipëri të shkatërrojë reputacionin e vet me budallallëqet që thuhen për projektin, nuk kemi ç’i bëjmë. Po budallallëku që e ka lënë këtë vend mbrapa bote 100 vite, nuk ka për ta marrë dot peng Shqipërinë Europiane dhe Turistike.
* Power International Holding është një konglomerat nga Katari me më shumë se 400 kompani, të organizuara në gjashtë sektorë kryesorë të ekonomisë, me një portofol të vlerësuar afërsisht 40 miliardë dollarë. Ka më shumë se 65,000 të punësuar dhe operon në 25 vende të botës.