“Kujdes me sallamin, proshutat dhe salcicet”, mjeku i njohur bën paralajmërimin e fortë: Ja dëmet që sjellin sipas OBSH

Nga Luciano Bardhi, mjek
KUJDES ME MISHIN E TYMOSUR DHE TË PËRPUNUAR
Nëse mendoni se një hot dog apo një proshutë e tymosur janë thjesht “ushqim i shijshëm”, është koha të shikoni më thellë se çfarë po konsumoni.
ÇFARË KA REALISHT NË TO?
Produktet e mishit të përpunuar dhe të tymosur shpesh përmbajnë:
Nitrate dhe nitrite – përdoren për ruajtje dhe për ngjyrë të “kënaqshme” rozë
Nitrosamina – formohen kur nitratet ndërveprojnë me temperaturë të lartë ose aciditetin e stomakut. Këto janë substanca të njohura për potencialin e tyre kancerogjen.
PAH (hidrokarbure aromatike policiklike) – krijohen gjatë procesit të tymosjes dhe janë tokstikë dhe kancerogjenë të mundshëm.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka klasifikuar mishin e përpunuar (si sallami, proshuta, hot dog, salsiçet) si një kancerogjen i grupit 1, që do të thotë se ka prova të forta se konsumimi i tyre rrit rrezikun për kancer kolorektal dhe ndoshta të tjerë.
Mos u mashtroni nga aroma e tymosur apo nga ambalazhi i bukur.
Ato nuk janë më “ushqim tradicional” si dikur. Sot, shumica përmbajnë konservantë, kimikate dhe përbërës artificialë që nuk kanë vend në një dietë të shëndetshme.
Zgjidh alternativa më të shëndetshme:
• Mish i freskët, i gatuar në shtëpi
• Peshk i freskët
• Proteina bimore
• Fermente të natyrshme me përbërës të pastër