Si e ngriti Pacolli stekën e bamirësisë për pasanikët e Shqipërisë!

Ndërkohë që Shqipëria po kalonte orë dramatike nga tërmeti dhe sytë e të pastrehëve ishin drejtuar nga qielli, duart e tyre u shtrinë drejt më të pasurve të vendit. E ndërsa pritej nga pasanikët e Shqipërisë,  ishte biznesmeni i njohur nga Kosova Behgjet Pacolli, që pa asnjë ndërdyshje iu gjend kombit amë, duke dhuruar 1 milionë euro për të prekurit.

Për më tepër Pacolli do të deklaronte se shuma në fjalë ishte më e pakta që ai mund dhuronte, duke shtuar se s’kishte dashur ta bënte lajmin publik, por u shty nga vajza. Fill pas këtij vendimi, njerëz të rastësishëm në kafene ngritën natyrshëm pyetjen: “Po këta të pasurit tanë ku janë?”

Njerëzit që vitet e fundit ishin anatemuar për përvetësim të aseteve publike, pasurimit të shfrenuar përmes PPP-ve të dyshimta në sektorë kyç,  ishin fshehur duke hezituar të dilnin në skenë. Por ishte gjesti human i Pacollit që me sa duket i “vuri në sedër” të pasurit e Shqipërisë.

Gazeta SHQIP e ka përmendur disa herë bamirësinë e Pacollit, pasi ai vendosi edhe një standard për të pasurit e Shqipëris. Këta të fundit kishin vendosur të krruanin xhepat duke dhuruar shuma modeste 40-50 mijë euro. Por Pacolli i “turpëroi” me shifrën 1 milionë euro dhe kështu nisi gara mes të pasurëve të Shqipërisë.

Ishte biznesmeni i njohur Shefqet Kastrati, që dhuroi 1.5 milionë euro, si dhe liroi nga pagesa automjetet nga Kosova që mbërrinin në Shqipëri për qëllime humanitare. Dhe pas Kastratit aktet e bamirësisë ndoqën një “efekt domino” dhe ishte Samir Mane që dhuroi 1.2 milionë euro për të prekurit.  Ndërsa 20 apartamente dhe 1 milionë euro u dhuruan edhe nga Bashkim Ulaj i “Gener 2”.

Edhe biznesmeni Pëllumb Salillari “hapi thesin” duke dhuruar 1 milionë euro, e duke e cilësuar vendimin si “solidaritet të nevojshëm në këto moment”. Të njëjtën shumë prej 1 milionë eurosh dhuroi edhe koncesionari i RINAS-it si dhe Bankers Petroleum.

Nismat e tyre të bamirësisë erdhën vonë, si një lëvizje e s’forcuar pas asaj të Behgjet Pacollit. Përpos kësaj, të pasurit që bënë donacione ende sot numërohen me gishtat e dorës, e madje ka nga ata biznesmenë që dhuruan vetëm 100 milionë lekë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT