Shqipëria rrezikohet nga Irani? Reagon ambasada e SHBA-së në Tiranë

Tensionet në Lindjen e Mesme kanë rikthyer në fokus të mediave ndërkombëtare çështjen e sigurisë rajonale, ndërsa diskutimet kanë përfshirë edhe Shqipërinë. Shkak për këtë është prania në territorin shqiptar e organizatës opozitare iraniane MEK, e cila prej vitesh është strehuar në vendin tonë.
Në këtë kontekst, është rritur interesi publik dhe shqetësimi për mundësinë e rreziqeve të sigurisë që mund të lidhen me zhvillimet gjeopolitike në rajon.
Për këtë situatë ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila ka theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve për çështjet e sigurisë është i vazhdueshëm dhe i strukturuar.
Në një përgjigje zyrtare, ambasada nënvizon se marrëdhënia e ngushtë mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në kuadër të NATO-s garanton koordinim të rregullt për çdo shqetësim që lidhet me sigurinë.
Sipas reagimit të saj, institucionet e të dy vendeve mbeten të angazhuara për të monitoruar çdo zhvillim që mund të ndikojë në stabilitetin dhe sigurinë.
“Si aleatë në NATO, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria diskutojnë dhe koordinohen rregullisht për shqetësimet e përbashkëta të sigurisë. Ne mbetemi vigjilentë për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe shqiptarë njëkohësisht”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane për Euronews Albania.
Prej disa vitesh, Shqipëria strehon rreth tre mijë anëtarë të organizatës opozitare iraniane Muxhahedinët e Popullit të Iranit (MEK), të cilët janë vendosur në një kamp të posaçëm në zonën e Manzës, pranë Durrësit.
Prania e kësaj organizate në territorin shqiptar ka qenë shpesh objekt reagimesh nga autoritetet iraniane. Në të kaluarën, ish-udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, e kishte cilësuar Shqipërinë si një “vend djallëzor”, për shkak të vendimit për të strehuar opozitën iraniane.