Kontrollet e BKH-së, si Daniel Shima mori në “qafë” Mirlinda Karçanaj: Vilat në Palasë dhe Qerret, në pronësi të saj! Ish-drejtoresha e AKSHI-t mohon akuzat: Kam shkuar vetëm për pushime

Detaje të reja janë mësuar nga aksioni i BKH-së në jug të vendit, ku u kontrolluan dy vila në pronësi të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ergys Agasi. Po ashtu, bëhet me dije se kontrolle janë zhvilluar edhe në Qerret të Kavajës.
Mësohet se kontrollet janë zhvilluar pas dëshmisë së ish-zv.drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima, i cili, në deklaratat e tij në SPAK, ka dhënë detaje mbi disa pasuri që dyshohet se i përkasin ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Sipas gazetarit Elton Qyno, nisur nga kjo dëshmi, Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimin ndaj Mirlinda Karçanajt, Ergys Agasit dhe biznesmenit Ermal Beqiri.
Shima u ka treguar me detaje hetuesve se, mes pasurive që disponon Karçanaj, janë edhe dy vila në bregdetin e Qerretit të Kavajës dhe në një kompleks luksoz në Palasë.
Në dëshminë e tij, ish-zv.drejtori i AKSHI-t thekson se ai e ka parë disa herë Mirlinda Karçanaj të pushojë në verë dhe në ditët e fundjavës në vilat në Qerret dhe Palasë.
Nga ana tjetër, gjatë marrjes në pyetje nga SPAK, Karçanaj ka pranuar se në dy vilat në fjalë ka qenë për pushime, por ka mohuar se është pronare e tyre.
Po ashtu, ajo hedh akuza se vila në Palasë i përket Daniel Shimës, ndërsa sipas mediave, kjo banesë luksoze është regjistruar në emrin e një punonjësi të ish-zv.drejtorit të AKSHI-t.
Ndërsa vila në Qerret është e regjistruar në emër të një personi nga Kukësi, i cili është marrë në pyetje nga SPAK.
Sa i përket kontrolleve të BKH-së, mësohet se ato janë kryer për mbledhjen e provave në kuadër të hetimit të dosjes së SPAK.