Karamuço tregon historinë e pathënë: Ja çfarë e pengoi Shqipërinë t’i shpallte luftë Irakut

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, kujtoi mbrëmjen e sotme në Euronews Albania një histori sa tragjike aq edhe komike nga viti 2003. Ai tregoi se kryeministri i asaj kohe kishte mbledhur qeverinë dhe shpallur vendimin: “Ne do t’i shpallim luftë Irakut.” Ky njoftim erdhi pasi një natë më parë ministri i mbrojtjes kishte marrë informacion nga ambasada amerikane se SHBA do të ndërmerrte sulmin ndaj Irakut.
Megjithatë, siç rrëfeu një nga ministrat, dilema ishte e qartë: “Nëse Amerika nuk e sulmon sonte, ne mbetemi vetëm në luftë.” Për këtë arsye, vendimi u shty derisa SHBA të ndërmerrte hapin e parë, dhe më pas Shqipëria u rreshtua në koalicionin ndërkombëtar.
“Në vitin 2003, kryeministri i asaj kohe mblodhi qeverinë në mëngjes dhe tha: ‘Ne do t’i shpallim luftë Irakut’. Të gjithë anëtarët e qeverisë mbetën të shtangur. Një natë më parë, ministri i mbrojtjes kishte marrë kontakt me ambasadën amerikane dhe i kishin thënë se Amerika nesër do të sulmojë Irakun. Por, siç u shpreh një nga ministrat: ‘Nëse Amerika nuk e sulmon sonte, ne mbetemi vetëm në luftë’. Kështu vendimi u shty, derisa SHBA të ndërmerrte hapin e parë.”-tha Karamuço
Karamuço e cilësoi ngjarjen si “tragjikomike”, duke e parë si shenjë të dëshirës së qeverisë shqiptare për protagonizëm, por edhe të mungesës së koordinimit me aleatët. Ai shtoi se ky episod rikujtohet sot në kontekstin e rezolutave të reja që mazhoranca miraton për të treguar mbështetje ndaj SHBA dhe Izraelit, duke theksuar se këto akte kanë më shumë vlerë simbolike sesa praktike.