Kapri “thyen” bojkotin e opozitës dhe “shpërthen” në Kuvend: Rezoluta për Iranin, manovër servile për të shpëtuar Ramën! Në Rrjoll, policët si gardianë islamikë

Ndryshe nga opozitarët e tjerë, të cilët vendosën të bojkotonin seancën plenare të kësaj të marte, ku Kuvendi i Shqipërisë votoi pro shpalljes së Iranit si sponsor të terrorizmit, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri vendosi të ishte i pranishëm në sallë dhe t’u thoshte në sy socialistëve disa të vërteta, sipas tij.
Gjatë fjalës së tij Kapri vendosi në pikëpyetje qëndrimin e qeverisë, duke theksuar se një dokument i tillë do të kishte më shumë peshë nëse ekzekutivi do të vepronte realisht sipas standardeve perëndimore.
Në vijim, deputeti akuzoi kryeministrin se po përdor këtë rezolutë për të mbuluar probleme të brendshme dhe për të siguruar mbështetje politike ndërkombëtare, në një kohë kur vendi përballet me sfida të shumta të brendshme.
“Kjo rezolutë do të merrte shumë kuptim nëse kjo qeveri do të sillej si perëndimore, para se të sillte rezoluta servile të këtij lloji. Ka një vlerë për t’i dhënë botës se Shqipëria është pjesë e Perëndimit, por në fakt është për të shpëtuar fatin politik të Ramës. Se e dimë se çfarë do ndodhë së shpejti. Do që të sillet servil para botës”, tha Kapri, teksa më tej solli në vëmendje skandalin e AKSHI-t, si dhe protestën e banorëve të Rrjollit e mënyrën se si forcat e policisë po sillen kundrejt tyre.
Pjesë nga fjala e Erald Kaprit:
Kjo rezolutë do të merrte shumë kuptim nëse kjo qeveri do të sillej si perëndimore, para se të sillte rezoluta servile të këtij lloji. Ka një vlerë për t’i dhënë botës se Shqipëria është pjesë e Perëndimit, por në fakt është për të shpëtuar fatin politik të Ramës.
Se e dimë se çfarë do ndodhë së shpejti. Do që të sillet servil para botës. Ne bëjmë rezolutë për Iranin që na ka sulmuar dhe asnjë nga maxhoranca nuk ka kërkuar që të mblidhet Këshilli i Sigurisë. Ç’ka i kemi bërë ne vetes me AKSHI-n, s’na e ka bërë Irani.
Ka dy muaj që ndodh një protestë në një fshat katolik në veri të vendit. A keni parë si policë privatë me shkopa gome me kapuçë të zinj rrahin banorët si gardianët islamikë. Asnjë s’ka folur nga ju. Ju flisni për një Shqipëri perëndimore, ku çmimi i naftës rritet pa u bllokuar ngushtica e Hormuzit, apo ku njerëzit dënohen se lëvizin me monopatina.
Kjo s’është Shqipëri perëndimore! Nëse do të ishim vend perëndimor, nuk do të vendosnim mbrojtje politike siç bëtë me Ballukun. Rama ka vendosur që integrimi i vendit mos të kalojë nga BE, por nga Beogradi.