Ish-ministri Sandër Lleshaj tregon debatin me ish-drejtorin e Policisë së Shtetit: Kërkonte të ndryshonte punonjësin që plotësonte kriteret! Ja si veprova

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka komentuar largimin e Ilir Prodës nga detyra e kreut të Policisë së Shtetit. Në një intervistë në News24, Lleshaj tha se duhet të tregohet se cila është arsyeja pse Proda u largua nga detyra.
Ndërsa sa i përket incidenteve tek ish-vila e Enver Hoxhës, ish-ministri kishte kritika për policinë, teksa tha se duhet të veprojë një hap më pas protestuesve.
“Të thuhen arsyet e largimit të Ilir Prodës nga detyra. Duhet të sqarohet nëse largimi nga detyra u bë për sulmin ndaj Vilës 31 apo ka shkak tjetër. Policia duhet të veprojë një hap më pas protestuesve, një nivel më ulët nga protestat apo sulmet e protestuesve. Ky do ishte një standard i artë për të ruajtur policinë nga ky duel politik. Unë them se ky është pozicioni i artë, që të mbrojë institucioneve, dhunë më pak në krahasim me atë të protestuesve dhe të mbrojë institucionet. Policia duhet të veprojë pas atyre përballë, jo ta bëjë ajo hapin e parë”, tha Lleshaj.
Lleshaj ka rrëfyer për herë të parë edhe debatin me një nga ish-drejtuesit e policisë në kohën që ai ishte ministër. Ai tha se nuk e kishte lejuar drejtuesin e policisë që të bënte lëvizjen që donte, pasi sipas tij, personi në fjalë plotësonte kushtet.
“Kur u zgjodha ministër, gjëja e vështirë ishte ndërrimi i drejtorëve, lëvizja e tyre. Kam pasur një rast konkret me një drejtues që kërkonte të ndryshonte dikë dhe i thashë se ai person plotësonte kushtet dhe se nuk mund të drejtonte me njerëzit që zgjidhte ai. Nuk mund të lëvizen njerëzit sipas dëshirës, por në mënyrë institucionale. Nuk duhen ndërruar njerëzit sa herë lëvizim ne”, vijoi ai.
Po ashtu ish-zyrtari ka shpjeguar edhe proceduarën që zgjidhjet kreu i ri i Policisë, teksa tha se zgjidhet me propozim të ministrit dhe miratim të kryeministrit.
“Drejtori i përgjithshëm i Policisë zgjidhet me propozim të ministrit dhe miratim të kryeministrit. Të dy bien dakord për personin”, deklaroi ai.