“Irani mund ta GODASË Shqipërinë”, eksperti tregon verdiktet: Raketa do të vinte për 20 minuta, por kalon në dy vende të NATO-s

Drejtuesi i Qendrës Marshall në Shqipëri, Ermal Jauri, gjatë një interviste për Euronews Albania ka shpjeguar nëse është e mundur që raketat balistike të Iranit të prekin edhe vendin tonë.
Jauri tha se një skenar i tillë është i mundur, sepse teorikisht rrezja e raketave balistike të Iranit është 2000-2500 km, ndërsa distanca mes Tiranës dhe Iranit është 2000 km.
Ermal Jauri shtoi se kjo është pothuajse e pamundur të ndodhë, sepse një raketë e nisur nga Irani do të duhej të kalonte dy shtete të NATO-s, mbi territorin e Turqisë dhe Greqisë, të cilat kanë sisteme të avancuara të mbrojtjes raketore.
Sipas Jaurit, kjo luftë do të mbyllet në tavolinë, pasi SHBA-së nuk i intereson që të zgjasë shumë në kohë.
“Çdo konflikt i armatosur fillon në tavolinë dhe mbaron në tavolinë, por se kur do të jetë kjo tavolina e mbylljes nuk dihet ende. Ajo që mund të them është se SHBA nuk do të shfaqë dobësi përballë kundërshtarëve si Irani, pra nuk do t’i japë të kuptojë se arsenali raketor është dobësuar,” – tha drejtuesi i Qendrës Marshall.
Ai shtoi se nuk mendon se do të ketë ndryshim regjimi apo marrëveshje për momentin.
“Amerika nuk tërhiqet pa fituar nga kjo luftë, sepse do të ishte humbje e madhe për Trump. Ai do të shtojë një trysni të lartë diplomatike dhe propagandë në media me qëllim që Irani të vetëdorëzohet. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë marrëveshje apo ndryshim regjimi, por gjithsesi është ende herët të parashikojmë këtë,” – tha Jauri.