Hakerimi i Kuvendit, gazetari: Deputetët pyetën se çfarë është email dhe ç’grup parlamentar bën pjesë

Ditën e sotme Kuvendi i Shqipërisë u bë objekt i një sulmi kibernetik që lidhet me postën elektronike të institucionit.
Në lidhje me këtë sulm, ka reaguar edhe gazetari i njohur shqiptar Lutfi Dervishi, i cili ka ironizuar deputetët. Dervishi shkruan në Facebook se deputetët pyetët se se çfarë është email dhe ç’grup parlamentar bën pjesë.
“Pas lajmit të hakerimit të postës elektronike të Kuvendit shumë deputetë po pyesin: çfarë është email? Në ç’grup parlamentar e komision bën pjesë?”, shkruan gazetari.
Kujtojmë që Hakerat e grupit “Homeland Justice” janë rikthyer sërish në vëmendjen publike me një tjetër sulm kibernetik që këtë herë duket se ka vënë në shënjestër Kuvendin e Shqipërisë.
Grupi ka publikuar një mesazh në rrjetin social Telegram, ku pretendon se zotëron komunikimet e disa anëtarëve të Kuvendit gjatë muajve të fundit.
Në paralajmërimin e publikuar, hakerat iranianë shkruajnë se të gjitha bisedat dhe korrespondenca e “anëtarëve të korruptuar të Kuvendit” gjatë muajve të fundit ndodhen në duart e tyre, duke shtuar se kjo çështje do të ekspozohet dhe se “turpi do të mbetet përgjithmonë”.