Llazar Bozo, patrioti qe u lartësua nga populli si “Kapedan”

(Luftëtari demokratë i lirisë në Myzeqe, që shkoi delegat në Kongresin e Lushnjes në 1920 dhe në Përmet në maj 1944)
Nga Jovan Bizhyti
Në luftën patriotike për Pavarësinë e Shqipërisë, një kontribut të çmuar ka dhënë dhe populli i Myzeqesë me në krye patriotët e tij të shquar. Një nga ato figura ka qenë dhe Llazar Bozo. Ai e nisi jetën si komit dhe drejtues i çetave të Rilindjes Kombëtare për liri e pavarësi në Myzeqe dhe gjithë jetën ka qenë konseguent në bindjet e tij demokratike e liridashëse. Llazari e nisi dhe e vazhdoi luftën me armë në dorë, si ndaj bimbashëve të Turqisë, ndaj qeverisë kuislinge të Esat Pashë Toptanit e bejlerëve mbështetës të tij, po ashtu u shqua dhe në kryengritjen antizogiste të Fierit dhe së fundi si partizan në luftën legjendare Antifashiste Nac.Çl. për çlirimin e vendit.
Pra, e gjithë jeta e tij, nga rinia e hershme e deri në moshën 64 vjeçare ku morri pjesë aktivisht dhe në Operacionin e Madh të Dimrit 1943-44 me Grupin partizanë të Myzeqesë, kundër pushtuesve gjermanë e bashkëpunëtorëve të tyre, ishte luftë e përpjekje për të arritur atë liri e pavarësi të dëshiruar, të cilës i ishte përkushtuar gjatë gjithë jetës së tij. Ishte trim e legjendar, mbështetës i fshatarësisë kundër bejlerëve e mercenarëve, patriot që shkriu gjithë pasurinë e tij dhe sakrifikoi veten dhe familjen në shërbim të luftës për çlirimin e vendit. Në momentet historike, fshatarësia myzeqare e lartësoi atë me emrin, “Kapedan”, jo nga gradat, as nga ofiqet e pasuria, por nga trimëria e përkushtimi për liri e pavarësi, nga përpjekjet dhe lufta me armë, që ai asnjëherë nuk e ndau nga krahu. Dhe ky vlerësim i mbeti deri në fund të jetës së tij, duke e thirrur, Kapedan Llazar Bozo.
Familja grabovare e Bozove, është e ardhur qysh herët në fshatin Kolonjë të Myzeqesë, që pas djegies së Voskopojës e Grabovës, si vende të origjinës së tyre, nga fundi i shekullit të XVIII-të. Ata, së bashku dhe me familjet e tjera vllahe të ardhur nga ato territore, u përshtatën jetës, zakoneve e traditave myzeqare dhe në këto tre shekuj, ata dhe shumë vlleh të tjerë që jetojnë në trevën e Myzeqesë, janë asimiluar me popullsinë vendase, dhe Myzeqenë e quajnë truallin e tyre ku kanë lindur e jetuar në disa breza.
I ati, Mihal Bozo, u bë mbështetës i flaktë i ideve patriotike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 1878 dhe u përfshi në radhët e organizatorëve për ngritjen e nëndegëve të kësaj Lidhjeje në Myzeqe. Njëkohësisht ai mbante lidhje të ngushta dhe me disa nga figurat e Rilindjes sonë Kombëtare si, Naun Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi e Hasan Tahsini, ku këta të fundit i ka pritur në Manastirin e Ardenicës, ku ishte dhe administrator e mësues i shkollës greke në këtë manastir. Mihal Bozo ishte nga të parët që hodhi bazat e mësimit të gjuhës shqipe në atë shkollë. Djali i tij Llazari, duke ndjekur rrugën e të parëve të tij, në 1906 kur ishte ende 26 vjeç, u detyrua të dali komit. Shkak u bë rrahja e një komandanti të garnizonit turk në qytetin e Lushnjes. Kjo bëri që ai të fshihej në pyjet e kasollet e vllehve të Kolonjës e të fshatarëve të tjerë në kodrat e Ardenicës, ku shtrihej dhe fshati Kolonjë.
Në dhjetor 1910, Llazari në pyjet e kodrave të Ardenicës e Kolonjës, krijoi Çetën e armatosur me luftëtarë patriotë myzeqarë, ku nisi aksionet kundër autoriteteve e garnizonit turk në Lushnje. Nga ajo kohë, Llazar Bozo nisi lidhjet dhe me kryekomitët e Çetave të luftëtarëve patriotë shqiptarë si, Çerçiz Topullin, Mihal Gramenon, Themistokli Germenjin e të tjerë. Me aktivitetin e tij, ai u bë i njohur në rrethet patriotike të vendit.
Në këtë periudhë në Myzeqe, veç Çetës patriote të Kolonjës e Bubullimës, u krijuan dhe Çeta të tjera, si ajo e Karbunarës e drejtuar nga patrioti Taulla Sinani, Çeta e Karatoprakut e drejtuar nga Ikonom Kozma Dhima, e Ngurrzës drejtuar nga Hajdar Ngurrëza dhe Jashar Blezencka, si dhe Çeta e Krutje- Fiersheganit drejtuar nga patriotët Lam Shtëmbari e Pali Kadillari. Krijimi i këtyre Çetave, e ashpërsoi më tej luftën kundër pushtuesve osman, ku në një aksion që ndërmorën, shpartalluar garnizonin turk dhe në qytetin e Lushnjes për disa ditë u valvit flamuri kombëtar shqiptarë.
Llazar Bozo, në janar 1920 u bë pjesëtar dhe në Komisionin Iniciator për thirrjen e Kongresit Historik të Lushnjes, si dhe delegat i Myzeqesë në atë Kongres, së bashku dhe me Ferid Vokopolën e klerikun Sheh Ibrahim Karbunara që përfaqësonin popullin e Myzeqesë.
Në roje të Kongresit u caktuan forca të shumta të drejtuara nga një shtab mbrojtës i përbërë nga patriotë të vendosur myzeqarë dhe nga rrethe të tjera me në krye, Riza Cerovën nga Skrapari dhe myzeqarët, Llazar Bozo, Ismail Ali Kuçi, Taulla Sinani e të tjerë. Në mbështetje të tyre, erdhën forca dhe nga Mati, Berati, Skrapari e tjerë. Kongresi i Lushnjes morri vendime të rëndësishme për fatet e vendit, duke hedhur poshtë planet e Konferencës së Paqes për copëtimin e Shqipërisë, u shpreh me vendosmëri për pavarësinë e vendit, dënoi dhe veprimtarinë tradhtare të Qeverisë së Durrësit si qeveri antikombëtare, e rrëzoi atë dhe zgjodhi qeverinë e re të Shqipërisë të kryesuar nga Sulejman Delvina, duke përcaktuar dhe një sërë masash për organizimin e organeve shtetërore në qendër e në bazë. Ky Kongres caktoi dhe Tiranën kryeqyt të Shqipërisë.
Llazar Bozo u lidh ngushtë dhe me patriotin Riza Cerova. Ai në kujtimet e tij tregonte se, me Riza Cerovën ishte njohur qysh herët dhe ushqente një respekt të veçantë për të. Ishin njohur në Berat vite më parë. Rizai sapo ishte kthyer nga Selaniku, ku vazhdonte shkollën ndër-qytetëse. Ishte me bindje të shëndosha patriotike, trim dhe i çiltër me shokët. Ishin takuar dhe herë të tjera. Mbledhja e Kongresit të Lushnjes i bashkoi përsëri, ku të dy ishin caktuar në shtabin e vullnetarëve për mbrojtjen e Kongresit. Rizai ishte një patriot i vendosur dhe gjakftohtë, – tregonte Llazari.
Pas disa vitesh, u takuan përsëri me Riza Cerovën. Në maj 1935, Rizai kthehej nga Tirana për në Skrapar, ku bëheshin përpjekje për krijimin e një organizate të fshehtë kundër regjimit të Zogut. Ai ndaloi në fshatin Karbunarë ku u takua me Taulla Sinanin, Llazar Bozon, Hysni Jeniçerin dhe Ahmet Shehun. Aty veç të tjerave, u folë dhe për organizimin e një kryengritjeje antizogiste, si dhe për bashkëpunimin midis forcave patriotike të Myzeqesë dhe të Skraparit. Disa muaj më vonë, Llazari morri pjesë aktive në kryengritjen antizogiste të Fierit në gusht 1935, ku kryengritësit arrestuan nënprefektin, vranë gjeneral Gjilardin, ish këshilltar austriak në ushtrinë e Zogut dhe shtinë në dorë qytetin e Fierit. Më pas, si rezultat i dhunës që përdori qeveria e Zogut, kryengritja u mposhtë dhe Llazari me disa patriotë të tjerë u dënuan me vdekje. Revoltat popullore bënë që dënimi t’u kthehej me afate të ndryshme burgimi. Më pas Llazari mësoi dhe për vrasjen e mikut e bashkëluftëtarit të tij patriotit Riza Cerova nga forcat zogiste. U pikëllua shumë dhe njëkohësisht i revoltuar, ai u betuar, se do luftonte deri në vdekje për të marrë hakun e mikut të tij Riza Cerovës.
Llazar Bozo krijoi lidhje e miqësi dhe me Avni Rustemin e Halim Xhelon. Këta patriotë kishin nisur një punë të madhe për shtrirjen e organizimit të një Federate të shoqërisë “Atdheu”, për t’i dal zot lirisë e pavarësisë së vendit. Myzeqeja ishte një nga krahinat ku ata kishin baza të forta. Lidhjet e Avni Rustemit me Naun Doko (Priftin) në Myzeqe ishin të hershme. Mysafirët nga Vlora u pritën në fshatin Kolonjë në shtëpinë e Llazar Bozos atë ditë shkurti të vitit 1921. Lufta e Vlorës në 1920, tregoi se patriotët myzeqarë e mbështetën me armë në dorë atë luftë legjendare. Llazar Bozo së bashku dhe me patriotët Zoi Ndreko, Naun Doko (Prifti) e të tjerë, ishin në krye të rreth 600 forcave nga Myzeqeja, që u vendosën në Llakatund, pranë ullishteve në rrethinat e Vlorës, ndërsa Naun Doko (Prifti) me 50 luftëtarë myzeqarë, luftoi me heroizëm brenda në qytetin e Vlorës, duke iu bashkuar luftëtarëve të labërisë kundër pushtuesve italianë. Që nga lufta e Vlorës, luftëtarët myzeqarë e lartësuan Llazarin, duke e thirrur, “Kapedan Llazar Bozo”.
Kështu i thirri dhe Avni Rustemi atë natë shkurti kur hyri në derën e shtëpisë së Llazarit në fshatin Kolonjë, së bashku me Halim Xhelon, Jani Mingën, Naun Doko (Priftin) dhe Zija Mullain. Avniu shtroi detyrën për të bashkuar të gjitha organizatat dhe shoqëritë para dhe pas luftës së Vlorës në një Federatë “Atdheu”. Duke qenë të bashkuar, do të jemi më të fortë, – theksoi Avniu. Dhe në 25 prill 1921 u mblodh në Vlorë Kongresi me delegatë nga e gjithë Shqipëria, që krijuan Federatën “Atdheu”, ku edhe në Myzeqe e në rrethe të tjera u ngritën nëndegët e saj.
Kur tingëlluan orët e para të luftës partizane për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë, patrioti Llazar Bozo, megjithëse në moshë të thyer, ishe sërish ndër të parët që u rreshtua në radhët e Çetës partizane të Myzeqesë së bashku dhe me djemtë e tij, Petrin, Alekon, Kolin dhe Irakliun, si dhe vajzën Parashqevia, duke e kthyer gjithë familjen dhe shtëpinë e tij në Kolonjë të Lushnjes, një bazë të fuqishme të luftës Nac.Çl., ku janë strehuar udhëheqës të luftës si: Major Spiro Moisiu, Spiro Bakalli, Themo Vasi, Tahir Minxhozi e të tjerë.
Në të gjitha ngjarjet e luftës Nac.Çl, Llazar Bozo ishte i pranishëm si përfaqësues i popullit të Myzeqesë së Lushnjes. Që nga Konferenca e Pezës 1942, në Konferencën e Labinotit 1943, ku u zgjodh Anëtar i Këshillit të Frontit Nac.Çl. dhe deri në Operacionin e Madh të Dimrit 1943-44, ai nuk e hoqi pushkën nga krahu, duke marrë pjesë në të gjitha aksionet me partizanët myzeqarë në betejat e zhvilluara në Sulovë, Tomorricë të Skraparit, e Gorë-Opar të Korçës, megjithëse në moshë të thyer 64 vjeçare. Në këtë marshim luftarak sa legjendar dhe të vështirë, ai ishte i pranishëm dhe si anëtar i Shtabit Partizanë të Qarkut të Beratit.
Bejlerët, që mbështesnin qeverinë fashiste, i bënin thirrje Llazar Bozos, deri dhe presion për t’u larguar nga Fronti Nac.Çl. dhe nga komunistët, e të bashkohej me Ballin Kombëtar. Eksponenti i Ballit, Ali Bej Këlcyra që kishte çifliqe në fshatrat Ngurrëz, Rrupaj, e Zhelizhan të Myzeqesë, u bënte presion me kërcënime fshatarëve që strehonin Llazar Bozon e Spiro Moisiun dhe familjet e tyre, që të distancoheshin, e të tregonin se ku i kishte bazat e strehimit. Një ditë fshatarin Laze Liko, Ali Beu e thirri për drekë në Fier, ku i premtoi se do t’i falte një sipërfaqe toke me tapi, po të tregonte vend-ndodhjen e Llazar Bozos dhe Spiro Moisiut. Por Lazia që ishte dhe mik shtëpie me Kapedanin, nuk pranoi, ai ia la pa ngrënë drekën Aliut dhe u kthye në fshat.
Pushtuesit fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre me kriminelin Isa Toska, dogjën fshatin Kolonjë, si bazë e luftës partizane dhe zjarri përpiu të parën shtëpinë e Kapedanit, Llazar Bozo, pastaj me radhë të Kosta e Taqi Robos, Loni Bozos, Vasil Bozos, Luçi Bozos, Gori Bozos, Mina Bizhytit, e Todi Dojës, si baza të luftës. Kapedan Llazari i dha luftës gjithë familjen që dolën partizanë, 5 djem dhe dy vajza, ku njeri nga djemtë, Petri Bozo, dha jetën si dëshmor i Atdheut, i torturuar e i pushkatuar nga krimineli Isa Toska.
Në Kongresin Historik të Përmetit në maj 1944, 64 vjeçari Llazar Bozo ishte delegat si përfaqësues i popullit të Myzeqesë dhe aty u zgjodh Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nac.Çl. të Shqipërisë. Populli i Myzeqesë dhe qytetarët e Lushnjes në nderim të figurës së Llazar Bozos, i kanë ngritur atij një bust në një kënd të qytetit dhe publicisti, i ndjeri Hilli Liko, ka shkruar për të një libër monografie.
Ja si e vlerëson figurën e Llazar Bozos shkrimtari i nderuar Nasho Jorgaqi :“Llazar Bozo ka të pasqyruar e të mëshiruar në jetën e tij, historinë e trazuar shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX-të. Një jetë e ngritur në luftë e përpjekje të parreshtura përmes sakrificash e përkushtimesh të admirueshme. Asnjëherë nuk më del nga mendja imazhi burrëror i Llazar Bozos. Sytë e tij me atë shkëlqim shkrepëtitës, ajo energji e pashtershme që buronte nga tërë qenia e tij, po mbi të gjitha, pesha e fjalës që shqiptonte, fjalë që barte mençuri dhe urtësi, guxim dhe vendosmëri.
Llazar Bozo ishte nga ata kapedanët popullorë, pa të cilët nuk mund të kuptohet historia shqiptare. Kapedan i dalë jo nga viset malësore, ku ndoshta dhe ashpërsia e mjedisit dhe i peisazhit i bënte të tillë, po kapedan nga viset fushore, nga pellgu i Myzeqesë. Në këto rrethana, nuk ishte e lehtë të njiheshe dhe të lartësoheshe nga populli si “Kapedan”. Këtë cilësim ai nuk e fitoi me dekrete, po në luftë e përpjekje titanike në shërbim të atdheut e të popullit të thjeshtë. Mjafton ti hedhësh një vështrim momenteve kryesore të jetës së tij dhe të kuptosh se shkallët e kësaj jete, janë shkallët e historisë shqiptare, të cilat ai i ka ngjitur ndër vite përmes luftës konseguente me sakrifica dhe haraçe të pashembullta.
Llazar Bozo nuk është një legjendë, por një nga ata burra me zemër të madhe, që ka jetuar e luftuar me tërë forcat, në orë të mira e të liga për këtë vend, që ne e shqiptojmë krenarisht, Shqipëri.”