Urdhër nga Berisha për bojkotimin e protestës në mbështetje të UÇK? Vjen reagimi i PD-së

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me disa ‘spekulime’ se nga zyrat e PD ka dalë një urdhër për bojkotimin e protestës në mbështetje të UÇK-së, të mbajtur në Tiranë. 

Përmes një deklarate për mediat, PD bën të ditur se nuk ka pasur asnjë urdhër për bojkotimin e mitingut në mbështetje të UÇK-së. 

Po ashtu në reagimin e PD thuhet se Berisha dhe eksponentë të tjerë të lartë të kësaj force politike, e kanë përsëritur vazhdimisht se lufta për liri e UÇK ishte e drejtë dhe vendimtare. 

Reagimi i PD: 

Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës të saj, të mos jenë në mitingun mbështetës për ish-krerët e UÇK-së, në proces gjyqësor në Hagë. 

Spekulimi banal i ndonjë medieje se ky urdhër ekziston është pjesa e skenarit të përhershëm anti-opozitar te Ramaduros dhe Partia Demokratike e hedh poshtë si të tillë. 

Siç theksohet në deklaratën e Partisë Demokratike të sapo hedhur dhe në qëndrimet e ditëve të fundit dhe të përhershme të kryetarit të saj, Berisha, kauza e UÇK, lufta e saj dhe e popullit shqiptar të Kosovës, janë jo vetëm të drejta, por edhe pjesë e nderit të përjetshëm të kombit dhe çështjes kombëtare shqiptare. 

Zyra e Shtypit dhe Komunikimit 

Drejtori, 

Alfred Lela 

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT