Çmimi i naftës në Shqipëri “fiksohet” 214 lekë për litër, tregu me pakicë mbetet i pandryshuar

Tabelat e çmimeve në pikat e karburanteve në Tiranë tregojnë një situatë të qëndrueshme për naftën, e cila prej disa ditësh shitet me 214 lekë për litër.

Kamera e Radio Televizionit Shqiptar ka zhvilluar një vëzhgim në disa pika të tregtimit me pakicë, ku çmimi rezulton i pandryshuar.

Jashtë kamerave, operatorët e karburanteve pohojnë se aktualisht nuk ka pasur lëvizje në treg, duke reflektuar një periudhë stabiliteti.

Në krahasim me fillimin e luftës në Gjirin Persik, kur çmimi i naftës në tregun vendas varionte nga 170 deri në 175 lekë për litër, niveli aktual mbetet dukshëm i rritur.

Ky ndryshim pasqyron ndikimin që zhvillimet ndërkombëtare kanë pasur në tregun e karburanteve.

Ndërkohë, qeveria shqiptare ka paralajmëruar paketën me masa për të mbajtur në ekuilibër çmimet. Ato konsistojnë në ngritjen e Bordit të Transparencës që do të përcaktojë çmimet tavan dhe çdo tejkalim i këtij çmimi do të sjellë penalizim për kompaninë private.

Një tjetër masë është ulja me 20% e akcizës nëse çmimi do të tejkalojë 220 lekë për litër.

Po ashtu, qeveria ka paralajmëruar kalimin në parlament të ligjit për rezervat shtetërore të naftës si dhe futjen e shtetit në këtë treg.

MASAT E QEVERISË

Ngritja e Bordit të Transparencës

Ulja me 20% e akcizës së naftës

Rezerva shtetërore e naftës

Futja e shtetit në treg

Back to top button
LAJMET E FUNDIT