Ahmetaj tregon dëmin ekonomik që i ka shkaktuar koronavirusi vendit: Pritet edhe më keq

Ministri i Rindërtimit, arben Ahmetaj tha se për shkak të situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit, buxheti i shtetit po pëson një rënie të tmerrshme, madje vetëm këtë muaj pritet një humbje me 70 milionë euro, e në vazhdim dyfishim i kësaj shume.
“Tani u bënë dy armiq, njëri është risku për shëndetin publik, dhe instrumentet financiare, që Shqipëria nuk i ka si vendet e tjera të botës; tjetri është rënia ekonomike. Paketa synon që të lehtësojë atë goditje ekonomike që marrin familjet, qytetarët, kompanitë, individët, që merr buxheti i shtetit, ekonomia e vendit. Paketa është e konsiderueshme, shkon në 1.56% të GDP.
Buxheti po bie me shpejtësi. Vetëm këtë muaj shohim një rënie të mundshme deri në 70 milionë dollar dhe muajt e tjerë goditja mund të dyfishohet. Është njëlloj si një plagë e rëndë në trup, që fillon humbet gjak. Masat e marra nga qeveria mbrojnë qytetarin nga virusi”, tha Ahmetaj në News 24.