“Qetësohen” zjarret në Francë/ Kthehen në banesa 200 mijë persona të zhvendosur

Situata në jugperëndim të Francës po shkon drejt normalizimit, ndërsa pjesa me e madhe e banorëve të evakuuar nga zjarret kanë nisur të rikthehen në banesat e tyre. Nga rreth 220 mijë persona që u detyruan të largoheshin për shkak të flakëve, afro 200 mijë janë lejuar të kthehen, pas përmirësimit të situatës në terren dhe avancimit të operacioneve për vënien nën kontroll të zjarrit.
Banorët e katër komunave, Somos, ku nisi zjarri, si dhe Le Temple, Le Porge dhe Les-Cap-Ferrets, vijojnë të mos jenë kthyer për shkak të rrezikut të mbetur.
Autoritetet franceze theksojnë se, edhe pse flakët janë vënë nën kontroll, zjarri nuk është shuar plotësisht. Ekipet zjarrfikëse vijojnë monitorimin e një perimetri prej rreth 240 kilometrash për të parandaluar riaktivizimin e vatrave, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe erërat.
Zjarri, i konsideruar më i madhi në Francë që prej vitit 1949, ka djegur rreth 420 mijë hektarë sipërfaqe brenda një jave, duke shkaktuar dëme të mëdha në pyje dhe zona të banuara, si edhe duke detyruar qindra mijëra banorë të braktisin përkohësisht shtëpitë e tyre.
Ndërsa operacionet e monitorimit vijojnë, autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e emergjencës dhe të mos kthehen në zonat që mbeten ende të rrezikuara.