Negociatat/ Holanda rikthehet të flasë për dritën jeshile në BE për Shqipërinë

Holanda ka qenë një nga vendet që ka mbajtur qëndrimin kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Ndërsa presioni i shteteve të tjera të unionit është shtuar që si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut të çelen negociatat, duket se në Holandë ende nuk janë shumë të bindur.
Ministri i jashtëm holandez, Stef Blok pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së tha se kriteret ende nuk janë përmbushur.
“Qartësisht, nuk ka ende dritë jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.. Drita jeshile vjen kur të përmbushen kriteret. Për Holandën, Maqedonia e Veriut ka përmbushur kushtet, por për Shqipërinë presim më shumë rezultate“, tha Blok për mediat.
Në mars do të zhvillohet takimi i radhës i Këshillit të Evropës dhe synimi është që të merret një vendim për datën e nisjes së negociatave për dy shtetet e Ballkanit Perëndimor.