A vlen tani “pendimi” i Bashës?

Vendimet politike të Lulzim Bashës që pas zgjedhjes së tij në krye të Partisë Demokratike janë vënë jo në pak raste në dyshim. Jo vetëm nga opinion i gjerë publik, por edhe nga figura politike me rëndësi në PD.

Ndër gjërat e para që do të bënte Basha pas marrjes së pushtetit si kreu i PD-së, do të ishte reformimi i partisë që në fakt jo pa të drejtë u konsiderua edhe si një “spastrim” i ldiershipit të këtij subjekti.

Shumë kontribues e themelues të partisë u hoqën nga listat për kandiatë për deputetë, apo edhe për pozicione të tjera drejtuese brenda partisë. Kjo gjë solli në fakt vënien e Bashës në qendër të shigjetimeve, që tashmë akuzohej se po mbyllte partinë dhe po e centralizonte atë.

Edhe pse shumë njohës të politikës e aleatë të tij e kritikonin se me këtë vendim mund të dëmtonte partinë, ai dukej i palëkundur në qëndrimin e tij.

Ajo që u konsiderua si reformim solli në fakt vetëm zëvendësimin e disa figurave me ca të tjera që kishin pak ose aspak kontribut në këtë parti.

Bojkoti disa mujor dhe izolimi në atë që u quajt “çadra e demokracisë” ishte vendimi tjetër i guximshëm i Bashës, që rrekej të premtonte se do t’i jepte Shqipërisë një Republikë të Re.

Pas disa muajsh angazhim dhe pjesëmarrje të qindra e mijëra mbështetësve të PD-së që qëndronin natë e ditë në çadër, Basha vendosi t’i jepte fund asaj kauze me një vendim personal që u njoh edhe si “Marrëveshja e 17 majit”.

Dalja nga parlamenti dhe dorëzimi i mandateve ishte një tjetër lëvizje e rradhës e Bashës, që u premtua se do të rezultonte e suksesshme aq sa madje do të sillte edhe rrëzimin e qeverisë Rama.

Jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por nuk ndodhi as fuqizimi i mëtejshëm i opozitës që tashmë ka humbur goxha terren politik dhe pjesa më e madhe e vrprimeve të saj nuk kanë pasur as mbështetjen e ndërkombëtarëve.

E njëjta situatë u pasua edhe me një vendim tjetër të opozitës së kryesuar nga Basha për mospjesëmarrje në zgjedhjet vendore të qershorit. Edhe pse u trumbetua si një vendim mjaft i guximshëm që në fakt edhe ishte, duhet thënë që nuk prodhoi asnjë prej premtimeve apo rezultateve që thoshte Basha.

Madje më shumë se kaq vuri në pikëpyetje edhe ekzistencën e vetë opozitës dhe Bashës si lider i saj.

Për muaj të tërë kur të gjithë thuajse e kritikonin për këto lëvizje që në vetvete ishin realisht pa rezultat, Basha, të paktën me qëndrime politike publike rrekej t’u mbushte mendjen të gjithëve se kishte bërë veprimet e duhura.

Por mesa duket koha nuk i dha të drejtë Bashës. Tërheqjet e njëpasnjëshme nga qëndrimet e tij radikale, përmendim këtu atë për mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve, mos uljen në tryezën e reformës zgjedhore me njerëzit që dyshoheshin se kishin manipuluar procesin zgjedhor, apo edhe mosardhja e asnjë prej rezultateve që ai kishte premtuar prej kohësh e vënë mjaft në pikëpyetje seriozitetin e Bashës.

Teksa është tërhequr nga thuajse të gjitha premtimet e tij të dhëna veprim pas veprimi, dhe teksa ka ndërmarrë vendime tejet të rrezikshme për partinë dhe opozitën në tërësi ai shfaqet sot në jo pak raste duke treguar shenja të qarta pendese.

Por a vlen më sot kjo pendesë? A do t’i kthehet Bashës në besueshmëri popullore?!

Për këtë do të na duhet të shohim rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT