Viza amerikane për Berishën dhe Interesi Kombëtar Amerikan

Nga Thoma Gëllçi
Të gjithë prisnin që administrata Trump t’ia hiqte sanksionet Berishës, të cilat ishin vendosur në kohën e qeverisjes së Bidenit nga Sekretari i Shtetit, Blinken. Prisnim një arsyetim të qartë se Blinken kishte vepruar nën ndikimin e Sorosit dhe dihet lufta që Trump i ka shpallur organizatës Soros. Të thuhej se Sekretari i Shtetit i vlerësoi faktet dhe vendosi që ato nuk përbëjnë prova të mjaftueshme për të sanksionuar zotin Berisha, i cili në këtë rast ishte viktimë e një komploti ndërkombëtar majtist. Kjo nuk do të na habiste fare, me gjithë ato masa që ka marrë administrata Trump ndaj Bidenit si dhe ish-sekretarit Blinken.
Por njoftohemi se ndaj zotit Berisha është dhënë një waiver (pezullim) për “interes kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Sanksionet mbeteshin në fuqi, por ato pezulloheshin përkohësisht, njëlloj si atëherë kur i jepnin vizë Fidel Kastros që të vinte të fliste në OKB. Por lidhja e interesit kombëtar të SHBA-së me vizën e Sali Berishës shkaktoi tronditje të madhe. Bile edhe më të madhe se vetë sanksionimi. Analistë që nga Syri TV dhe deri te CNN, CNBC, BBC etj., etj., u vunë në garë për të gjetur se cilat ishin këto interesa. Hutim ndërkombëtar. Vendimi shkaktoi menjëherë luhatje të fuqishme në Wall Street si dhe në tregjet ndërkombëtare të naftës.
Hutimi vazhdoi derisa burime të panjohura shpërndanë në media memorandumin e mëposhtëm, i cili sqaronte pothuajse gjithçka:
RAPORT KONFIDENCIAL
DEPARTAMENTI I SHTETIT I SHTETEVE TË BASHKUARA
MEMORANDUM PËR INTERESIN KOMBËTAR DHE STRATEGJIK
Lënda: Nevoja urgjente për pezullimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj Sali Berishës dhe familjes së tij në funksion të sigurisë kombëtare amerikane
Klasifikimi: TOP SECRET / EYES ONLY / BERISHA RELATED
Pas një analize të thelluar strategjike, të kryer nga ekspertët më të mirë të politikës së jashtme, Pentagoni, CIA, NASA, Departamenti i Energjisë, Departamenti i Bujqësisë dhe Shoqata Amerikane e Rritësve të Misrit, është arritur në përfundimin se interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara kërkojnë në mënyrë urgjente pajisjen e Sali Berishës me vizë për udhëtim në territorin amerikan.
Konkluzioni bazohet në faktin se mungesa e tij në Shtetet e Bashkuara ka krijuar boshllëqe serioze në arkitekturën globale të sigurisë.
1. LUFTA NË UKRAINË
Analizat tona tregojnë se konflikti ruso-ukrainas nuk mund të zgjidhet pa ndërmjetësimin e një personaliteti që ka kaluar tri dekada duke fituar, humbur, rrëzuar, bashkuar, përçarë, shpallur tradhtarë dhe më pas rikthyer në aleatë pothuajse të njëjtët njerëz. Ekspertët vlerësojnë se vetëm Sali Berisha mund t’i bindë njëkohësisht Vladimir Putinin dhe Volodymyr Zelenskyn se secili prej tyre është viktimë e një komploti ndërkombëtar.
2. KRIZA NË LINDJEN E MESME
Shtëpia e Bardhë po përballet me vështirësi të mëdha për të ndërmjetësuar mes Izraelit, Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit. Një grup pune ka propozuar që Berisha, për shkak të lidhjeve të vjetra kur ishte President i Shqipërisë me lëvizjet islamike. Nga ana tjetër, dihet se babai i tij i ka lënë amanet dashurinë për hebrenjtë. Gjithashtu, meqenëse Presidenti Trump përdor dhëndrin e tij për rindërtimin e Gazës, po kështu edhe Berisha ka përdorur dhëndrin e tij në rindërtimin e ish-Klubit Partizani. Shkëmbimi i përvojës së dhëndurëve do të sjellë rezultate të mëdha.
3. TAJVANI DHE KINA
Shërbimet amerikane besojnë se vetëm përpjekja për të kuptuar se kush është armiku i radhës i Berishës do t’i marrë inteligjencës kineze aq shumë kohë sa nuk do t’i mbetet kapacitet për planifikime ushtarake.
4. DETI I KUQ DHE SULMET HOUTHI
Sulmet ndaj anijeve tregtare vazhdojnë të dëmtojnë ekonominë globale. Departamenti i Mbrojtjes ka propozuar që Berisha të vendoset përkohësisht në një aeroplanmbajtëse amerikane në Detin e Kuq. Sipas studimeve paraprake, pas konferencës së parë për shtyp, rebelët Houthi do të kërkojnë armëpushim vetëm për të kuptuar se çfarë po ndodh.
5. PROGRAMI BËRTHAMOR I IRANIT
Negociatat me Iranin kanë ngecur. Ekspertët e diplomacisë vlerësojnë se Berisha është ndër të paktët liderë në botë që mund të japë çdo ditë konferenca shtypi. Llogaritjet tregojnë se vetëm një javë konferencash të Berishës, i pajisur me vizë, do të vononte programin bërthamor iranian me të paktën gjashtë muaj.
6. KOREJA E VERIUT
Kim Jong Un vazhdon testimet raketore. CIA ka arritur në përfundimin se shembulli i Berishës është nga më të rrallët që kthehet në demokrat duke mbetur komunist. Analiza e tij do të përdoret për të kuptuar më mirë Kim Jong Unin.
7. LUFTA KIBERNETIKE
Agjencia Kombëtare e Sigurisë ka zbuluar se asnjë algoritëm artificial nuk arrin të parashikojë me saktësi lëvizjen e radhës të Berishës. Për pasojë, është propozuar që ai të shpallet zyrtarisht “firewall strategjik njerëzor” i Shteteve të Bashkuara.
8. KRIZA NË HAITI
Bandat kontrollojnë pjesën më të madhe të territorit. Një raport i veçantë sugjeron se dërgimi i Berishës në Haiti mund të ketë efekt stabilizues. Shërbimet e inteligjencës besojnë se ai ka një kontroll magjik mbi të gjithë ata që hedhin shtylla në erë me dinamit apo që përdorin bombat Molotov.
9. LUFTA TREGTARE ME KINËN
Departamenti i Tregtisë ka identifikuar një mundësi historike: bashkëpunimin me Kinën për një burim të ri energjie. Simulimet tregojnë se energjia e prodhuar nga fjalimet e tij në parlament mund të furnizojë me energji elektrike disa shtete të vogla amerikane.
10. KRIZA E EMIGRACIONIT
Fluksi i emigrantëve drejt kufirit jugor vazhdon. Pas analizave të hollësishme është konstatuar se vetëm lajmi se Berisha ka marrë vizë amerikane do të ulë ndjeshëm përpjekjet për të shkuar në SHBA për shkak të namit që ka se shkakton trazira kudo që të jetë.
PËRFUNDIMI
Duke marrë parasysh rreziqet që paraqesin lufta në Ukrainë, Lindja e Mesme, Tajvani, Irani, Koreja e Veriut, sulmet kibernetike, Haiti, lufta tregtare me Kinën dhe emigracioni masiv, grupi ndërinstitucional i ekspertëve arrin në përfundimin unanim se:
“Pezullimi i përkohshëm i sanksioneve ndaj Sali Berishës nuk është thjesht një çështje vizash. Ai përbën një element kyç të arkitekturës globale të sigurisë së shekullit XXI.”
Në rast se waiver-i nuk jepet, ekspertët paralajmërojnë se Shtetet e Bashkuara do të detyrohen të përballen të vetme me të gjitha krizat e mësipërme.
Fundi i raportit.
Vazhdojnë nënshkrimet.
Washington, D.C.
Shpresohet shumë që publikimi i këtij dokumenti do të ulë zërat e gënjeshtërt se kjo u arrit nga paratë që janë paguar në disa kompani lobimi në SHBA.