Nexhmije Hoxha: Jepini Enverit atë që i takon Enverit!

(Vijon nga numri i kaluar)

Për faktin që Enveri prekej shumë kur binte fjala për Kosovën, më ka treguar edhe shoqja ime, Tefta Cami. Në një bisedë që po bënim së bashku, ajo më tha se, kur ishte ministre e Arsimit, do të shkonte në Kosovë, në krye të një grupi të madh kuadrosh, të ftuar zyrtarisht. Para se të niseshin, ata i thirri Enveri në takim, për t’i dëgjuar sesi ishin përgatitur për vizitën dhe për t’u dhënë disa porosi.

“Në fund të takimit, – më tregoi Tefta, – Enver Hoxha, me lot në sy, na tha: “Lum si ju që po vizitoni Kosovën!…” dhe nuk vazhdoi më. E mbytën emocionet”.

Pas këtyre fjalëve, ndihet qartë që atij i qante zemra të shkonte edhe vetë në Kosovë, ta kishte atë kënaqësi dhe lumturi si Tefta, të cilës ia tha ato fjalë. Ato tregojnë se ai e vuante këtë gjë, por, të paktën, ndihej i lehtësuar që, me politikën që kishte ndjekur në atë kohë, kishte mundësuar vajtje-ardhjet e shqiptarëve të të dyja anëve të kufirit, që të lumturuar takoheshin e çmalleshin me njëri-tjetrin, pas shumë dekadash ndarjeje… Këtë moment domethënës, Tefta e ka rrëfyer edhe në librin e saj të kujtimeve.

Po ashtu, dua të kujtoj këtu se me ç’forcë dhe preokupim i mbështeti Enveri demonstratat e vitit 1981, kur shpërthyen revoltat dhe zemërimi i rinisë dhe i mbarë popullit shqiptar të Kosovës. Ai mbështeti edhe kërkesën e tyre “Kosova Republikë” dhe u shpreh me forcë për këtë në disa artikuj dhe fjalime të kohës. Si udhëheqësi i shtetit amë, Enveri evokoi vazhdimisht të drejtat kombëtare dhe politike të kosovarëve, por nuk u foli atyre asnjëherë nga “lart”, përkundrazi i vlerësonte ata. Me urtinë e tij, ai jepte mendime për rrugën që duhej ndjekur për zgjidhjen e problemit të trojeve dhe të popullsisë shqiptare që i ishin shkëputur padrejtësisht Shqipërisë dhe i ishin aneksuar Jugosllavisë nga Fuqitë e Mëdha. Për këtë, ai pati sugjeruar që vetë populli shqiptar i Kosovës me prijësit e tij të organizohej një Front apo Lëvizje Popullore. Kjo ide dhe ky orientim i Enver Hoxhës do të gjente zbatim më pas në krijimin e kësaj Lëvizjeje, e cila u bë pararendëse dhe bërthama e krijimit të UÇK-së, që kontribuoi në çlirimin e Kosovës nga sundimi i gjatë i serbomëdhenjve dhe në krijimin e shtetit të pavarur, Republikës së Kosovës.

Zhvillimet e sotme në rajon po vërtetojnë gjithnjë e më shumë konkluzionin që Enver Hoxha e ka deklaruar dekada më parë se: “…pa një zgjidhje përfundimtare të Çështjes së Kosovës, nuk do të ketë paqe në rajonin e Ballkanit e më tej, pasi në këtë hapësirë do të ndeshen gjithnjë interesat e Fuqive të Mëdha…”.

Për atdhetarizmin e Enver Hoxhës flet shumë edhe roli që ka luajtur ai në marrëdhëniet me fqinjin e jugut, Greqinë. Lidhur me këtë, nuk ka diskutim që Enver Hoxha ka vepruar si një shtetar i madh, që përvijoi planet politike dhe ushtarake në mbrojtje të integritetit tokësor të atdheut tonë, të lirisë dhe të pavarësisë së tij, në ruajtjen e paprekshmërisë së kufirit jugor. Me politikën dhe diplomacinë e tij të zgjuar, Enveri mundi të kapërcejë mjaft momente të ndërlikuara me këtë vend fqinj. Në interes të mbrojtjes së pavarësisë dhe të sovranitetit të Atdheut, fill pas Luftës, ai denonconte me forcë në Konferencën e Paqes në Paris, por edhe nëpërmjet përfaqësuesve të shtetit shqiptar në OKB dhe në takime ndërkombëtare, politikën shoviniste dhe rivendikimet tokësore të qeverisë greke për Shqipërinë e Jugut. Nën drejtimin e tij, Shqipëria u dha përgjigjen e merituar forcave ushtarake të monarko-fashistëve grekë në provokacionet e gushtit të vitit 1949, që qenë një kërcënim dhe rrezik i madh për pavarësinë dhe tërësinë territoriale të vendit tonë, apo në vitet ’60, kur paralajmëroi grekët, se nëse guxojnë të ndezin zjarrin, atëherë, tha ai, do të laheshin edhe hesapet e vjetra…

Duke punuar për paqen me fqinjët dhe në mbarë rajonin, Shqipëria e Enver Hoxhës, ndoqi një politikë që kishte në qendër të vëmendjes marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, por edhe kujdesin e qeverisë e të shtetit shqiptar për realizimin dhe plotësimin e të gjitha të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Janë të njohura masat konkrete që mori pushteti popullor për zhvillimin e ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së pakicës greke, për arsimimin në gjuhën amtare dhe për krijimin e kushteve të barabarta me popullin shqiptar në të gjitha fushat e jetës. Me politika të tilla që respektonin të drejtat e minoritarëve, shteti shqiptar kontribuoi jo vetëm për forcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve me shtetin grek, por edhe për uljen e tensioneve me Greqinë fqinje.

Me politikën konsekuente të mbrojtjes së pavarësisë dhe të sovranitetit shtetëror dhe të ruajtjes së paqes e të qetësisë në rajon, shteti shqiptar i Enver Hoxhës, bëri që edhe vetë ministrat e Jashtëm të tri vendeve ballkanike, Greqisë, Jugosllavisë dhe Turqisë u detyruan të pranojnë në një deklaratë të përbashkët të tyre se: “pavarësia e Shqipërisë është një element i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në Ballkan”.

Me pranimin e Shqipërisë në OKB, Shqipëria e Enver Hoxhës dha sinjale dhe ndërmori hapa të tjera për bashkëpunimin me Greqinë, siç qenë nënshkrimi nga të dyja vendet i disa marrëveshjeve, përpjekjet e qeverisë shqiptare për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe për ngritjen e nivelit të kontakteve deri edhe në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, qeveritë e dy vendeve rritën edhe më shumë nivelin e kontakteve dhe të bashkëpunimit reciprok në sektorë të ndryshëm, si në kulturë, shkencë, postë-komunikacion dhe në transport etj.

Ishte Enver Hoxha, si patriot (atdhetar) ai që, pavarësisht paragjykimeve të vjetra dhe paradokseve që ekzistonin në politikën e qeverisë greke, si mbajtja e ‘ligjit të luftës’ me Shqipërinë etj., vuri mbi parimet ideologjike dhe mbi dallimet e sistemeve politiko-shoqërore në dy vendet tona, interesat kombëtare atdhetare, vetëm e vetëm për të garantuar pavarësinë, paprekshmërinë e kufijve, qetësinë dhe sigurinë e vendit tonë, duke ndikuar për stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Prandaj ndodhte që, kur fliste ministri i Jashtëm i Shqipërisë së Enver Hoxhës në OKB, zakonisht, salla ishte gjithnjë plot dhe të pranishmit e dëgjonin me interes, sepse e shihnin dhe vlerësonin që Shqipëria kishte qëndrimin e vet të pavarur, jo vetëm për problemet e saj me fqinjët, por edhe për çështje të koklavitura dhe të vështira ndërkombëtare të kohës.

Qëndrime të tilla të Shqipërisë kanë bërë jehonë në botë. Edhe sot flasin për guximin e Shqipërisë së Enver Hoxhës për dëbimin e rusëve nga baza e Pasha Limanit; për daljen de jure të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, në vitin 1968; qëndrimin e qeverisë shqiptare për ngjarjet në Lindjen e Mesme, atë për çështjen e Qipros, kur do të vendosej për pavarësinë e pjesës greke dhe të asaj turke, të ishullit etj. Megjithëse ishte një moment delikat, “kujt t’ia prishësh e kujt t’ia ndreqësh”, Enver Hoxha diti që shteti shqiptar të mbante ekuilibrin, miqësinë me Turqinë dhe me Greqinë. Kjo bëri që në atë kohë, fjalimet që u mbajtën nga përfaqësuesi shqiptar në OKB dhe votimi i Shqipërisë për Qipron, jo vetëm u dëgjuan dhe u ndoqën me interes të veçantë në Asamblenë e Përgjithshme, por u komentuan gjatë nëpër korridoret e OKB-së dhe në shtypin e huaj, me fjalët më pozitive për qëndrimet e drejta dhe të vendosura të Shqipërisë, të cilat, siç u pa në shumë gazeta dhe në prononcimet e mjaft qeveritarëve të huaj, i atribuoheshin pikërisht udhëheqësit të Shqipërisë, Enver Hoxhës. Me këto, unë vetë jam njohur atëherë nga radiogramet që i vinin Enverit nga Nju Jorku.

Enver Hoxha kishte shumë miq në botë. Duke lexuar shtypin e vendit dhe atë ndërkombëtar, në ditët e rënda për atdheun e për popullin tonë, pas ndarjes së tij nga jeta, kushdo e ndien sa nder, prestigj dhe dinjitet i kishte dhënë Shqipërisë Enveri, me mençurinë e diplomacinë e tij, me vendosmërinë dhe guximin e një patrioti, revolucionari dhe burri shteti.

Ato ditë, Organizata e Kombeve të Bashkuara në mbledhjen e saj të radhës mbajti një minutë heshtje për humbjen e Enverit. Personalitetet më të larta të 100 e ca shteteve, nga të pesë kontinentet, me të cilët kishim marrëdhënie diplomatike, ngushëllonin zyrtarët tanë kudo nëpër botë, disa prej tyre edhe familjen e Enver Hoxhës.

Agjencia britanike e lajmeve (Reuter) shkruante: Enver Hoxha qe në krye të luftës për Çlirimin e vendit, luftë që u fitua pa ndonjë rol të aleatëve… Nën udhëheqjen e tij, shqiptarët krijuan një shtet sovran, të lirë nga dominimi i huaj, gjë kjo e pashembullt në historinë e tyre… Nën udhëheqjen e Enver Hoxhës Shqipëria arriti pavarësinë në fushën ekonomike … është bërë vendi ku çmimet ulen, në vend që të ngrihen, dhe ku nuk ka as kriza energjetike dhe as taksa… Në fjalimet e tij plot ngjyra, ai ka paralajmëruar Moskën dhe Uashingtonin që të mos mendojnë se Shqipëria është “një kafshatë që gëlltitet lehtë”.

Gjithë sa u shkruan ato ditë në shtypin botëror dhe çka u thanë nga personalitete të larta shtetërore e shoqërore mbeten dëshmi që Enveri ka meritat e tij të pamohueshme dhe askush nuk mund ta shuajë nga Historia.

Të tillë shembuj ka shumë, por unë përmenda vetëm disa, jo thjesht për të evidencuar kontributin patriotik, atdhetar të Enver Hoxhës, por edhe për të kujtuar se në shikimin dhe në vlerësimin e së kaluarës, qoftë historiografia zyrtare, qoftë historianët e studiuesit duhet të vënë në balancë, si meritat dhe tiparet pozitive, ashtu edhe gabimet e figurave të rëndësishme të shtetit tonë. Kjo, sigurisht, kërkon një analizë të drejtë, objektive dhe gjithëpërfshirëse. Me këtë rast, u drejtohem historianëve dhe studiuesve të mbështeten dhe të interpretojnë drejt dokumentet arkivore të vendit tonë, por sidomos ato të vendeve të tjera, botimet shkencore që lidhen me historinë e Shqipërisë.

Gjithashtu, edhe librat me kujtime të personaliteteve të shquara, por edhe ato të njerëzve të thjeshtë, të cilat nuk janë pa vlera, pasi autorët e tyre janë dëshmitarë që i kanë jetuar ngjarjet e Luftës dhe të viteve të vështira, por edhe të bukura dhe emocionuese, të transformimeve të mëdha në shoqërinë shqiptare të periudhës 45-vjeçare 1945-1990. Këto ndihmojnë në shkrimin e historisë me vërtetësi, në mënyrë të gjallë dhe tërheqëse. Pa u ndikuar nga politika e ditës, historianët do të dinë të dallojnë çfarë është e vërtetë dhe çfarë është joreale në ato botime, si dhe në disa të ashtuquajtura “dokumente”, që, në të vërtetë, janë “false” dhe të përdorura qëllimisht ose jo.

Edhe diçka tjetër. Mendoj që në trajtimin e historisë së të kaluarës, ndihmon shumë edhe njohja e historisë së shteteve të mëdha dhe të përparuara të botës. Kushdo ka vënë re që historianët dhe politikat zyrtare të vendeve të ndryshme nuk hedhin në humnerë dhe në harresë pjesë të trupit të historisë së popujve të tyre. Edhe pse mbretërit e tyre të dikurshëm kanë sunduar me dorë të hekurt dhe kanë dhënë dënime të pamëshirshme, madje, kanë kryer krime ndaj masave popullore, por edhe ndaj njëri-tjetrit, si Eduardët në Angli, Luigjët në Francë, Katerinat në Rusi etj., etj., emrat dhe jeta e tyre kanë mbetur të vulosur në histori, në librat historikë dhe shkollorë, i kanë skalitur ata në buste e statuja, në emra rrugësh e sheshesh publike, nëpër muze, filma etj.

Edhe në shekujt e fundit, shtete ish-socialiste, si Bashkimi Sovjetik, Kina etj., i kanë ruajtur figurat e tyre historike, pasi nuk mund të mohojnë periudha të tëra të historisë, nuk mund të krijojnë një hendek të panatyrshëm në rrugën e gjatë që kanë bërë popujt e tyre. Është absurde të rrëzosh buste e shtatore të personaliteteve të historisë së një populli, për të mënjanuar dhe për të harruar një periudhë të tërë historie.

Është fakt që edhe pse mes shtetesh të ndryshme kanë ngjarë konflikte të ashpra e të përgjakshme, me kalimin e viteve e dekadave, politikanët e këtyre shteteve kanë gjetur gjuhën e pajtimit e të mirëkuptimit dhe, në këtë frymë, edukojnë edhe brezat e rinj në shkolla. Në marrëdhëniet e tyre me kombet e tjera, ata karakterizohen nga fryma e bashkëpunimit miqësor e reciprok. Gjermania, për shembull, ka qenë dikur naziste dhe ne kemi qenë në luftë me njëri-tjetrin. Por sot, ajo është një ndër partnerët kryesorë të Shqipërisë.

Po ne, si popull, brenda vendit, përse duhet të jemi ende, si në luftë, të ndarë në kampe që konfliktohen, të përçarë, për shkak të qëndrimeve refraktare në shikimin e historisë, duke penguar përparimin e vendit, sot e në të ardhmen, ndonëse jemi një gjak, kemi një flamur, një atdhe sovran dhe të lirë?!

Të gjithë e dimë që, në Kinë, Mao Ce Duni, që udhëhoqi revolucionin e madh kinez, pas shumë sakrificash dhe marshimit të gjatë historik, që shpalli Kinën Republikë Popullore dhe ndërtonte socializmin, më vonë bëri mjaft gabime. Megjithatë, emri, figura, filozofia dhe meritat e tij janë të pranishme edhe në ditët e sotme në jetën e shoqërisë e të shtetit të madh kinez, që zhvillohet e përparon çdo ditë e më shumë.

Në këtë drejtim flet edhe shembulli i popullit mik turk, lidhur me trajtimin që i bën figurës së Mustafa Qemalit. Atë e kanë quajtur Ataturk, domethënë, Babain e Turqisë, sepse, duke qenë një reformator i madh, ai e transformoi rrënjësisht shoqërinë turke, duke e shkëputur nga e kaluara e Perandorisë Osmane dhe nga sulltanët e saj, krijoi Turqinë e re, zëvendësoi shkrimin e vjetër me atë latin, gjë që e afroi përjetësisht Turqinë me kulturën e përparuar perëndimore etj. Por, megjithëse Mustafa Qemali, siç kanë shkruar gazetarë të huaj, ka varur shumë nga kundërshtarët e tij politikë, populli turk, edhe pas 100 vjetësh, vazhdon ta nderojë e ta kujtojë për reformat që bëri, e nderon si hero kombëtar dhe ka ngritur një mauzole të madh në Ankara për të, i kanë ruajtur edhe anijen me të cilën 100 vjet më parë zbriti me luftëtarët e tij në Samsun, nga ku nisi luftën për Pavarësi etj.

Shembuj të tillë ka edhe në shumë shtete të tjera të botës. Ndërsa në Shqipërinë tonë ngjet e kundërta. Përse u dashka të anatemohet një Luftë popullore Nacionalçlirimtare, që i solli Atdheut dhe popullit lirinë dhe pavarësinë e vërtetë?

Përse të fshihet nga analet e historisë një periudhë e tërë transformimesh e reformash, që e kthyen Shqipërinë nga një vend feudal mesjetar, ku sundonin varfëria, injoranca, analfabetizmi, kënetat dhe sëmundjet epidemike, në një vend që hyri në rrugën e zhvillimit, me arsim e kulturë të konsoliduar, me industri e bujqësi të zhvilluar, me shëndetësinë falas, me një popullsi me moshën mesatare më të re në Europë dhe që, në katër dekada, arriti në afro 4 milionë banorë? Këto dhe shumë arritje të tjera u realizuan në Shqipërinë socialiste, nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, që në fillimet e veprimtarisë së tij politike ishte një i ri 33-vjeçar, që vinte nga një familje atdhetare gjirokastrite dhe që populli, natyrshëm, e thirri me emrin KOMANDANTI. Sepse ai kishte udhëhequr Ushtrinë Partizane në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, që i solli popullit lirinë e shumëpritur.

Nuk mund të flitet për historinë e këtij vendi, duke mohuar, denigruar dhe duke lënë në harresë atë që bëri, gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore, Enver Hoxha, si prijësi më popullor i këtij vendi. Kjo do të ishte absurde dhe e pashembullt. Historia e së kaluarës le të rishkruhet, por pa flakur një periudhë të tërë historike 50-vjeçare, pa e shtrembëruar dhe pa e njollosur atë periudhë për shkaqe ideologjike dhe politike. Le t’i lëmë historianët të merren me trashëgiminë e PPSH-së, me figurën e Enver Hoxhës. Është në të mirën e përgjithshme që të shmangen ato diskutime, ku fut hundët politika, duke krijuar përçarje, dasi dhe konfliktualitet në popull.

Në fund, dëshiroj të them se, në këtë moshë që jam, gati për të mbushur një shekull jetë, njohja dhe respektimi i meritave dhe i kontributit të madh të Enver Hoxhës, në dobi të popullit dhe të kombit shqiptar, është në nderin e vetë shtetit, të shoqërisë dhe të kombit shqiptar. Enver Hoxha duhet pranuar ashtu siç ka qenë. Të kërkojmë tek ai atë që mund të bënte dhe jo atë që do të dëshironim sot të kishte bërë.

Një komb i civilizuar kurrsesi nuk mund të mohojë dhe të fshijë nga trupi i vet 50 vjet histori, një epokë të tërë që mban emrin e Enver Hoxhës, pa të cilin sot nuk do të gëzonim as këtë copë Shqipëri që na ka mbetur nga gjymtimi që i kanë bërë Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët. Ndaj them, jepini Enverit atë që i takon Enverit.

Kam bindjen që roli dhe figura e Enver Hoxhës në histori do të rehabilitohen dhe ai do të vlerësohet, siç e meriton, si Komandant i Përgjithshëm i Luftës Nacionalçlirimtare, që siguroi Çlirimin dhe Pavarësinë e Atdheut; si udhëheqës dhe burrë shteti, si arkitekt i organizimit të shoqërisë shqiptare dhe i ndërtimit të shtetit modern shqiptar; si udhëheqës popullor, që u përpoq për daljen e masave të popullit nga varfëria dhe nga prapambetja e trashëguar. Do të çmohet kontributi atdhetar i Enver Hoxhës, sepse me veprën e tij, u përpoq dhe i siguroi Shqipërisë, në planin e brendshëm, pavarësinë, unitetin kombëtar, tokën, punën, mirëqenien për familjet fshatare e qytetare, rritjen, shkollimin, edukimin dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Kurse në planin ndërkombëtar, gjatë 45 vjetëve Shqipëria, që udhëhoqi Enver Hoxha, u prezantua në Europë dhe në botë, në organizma politikë, ekonomikë e kulturorë ndërkombëtarë me një imazh dinjitoz e të respektuar, si shtet serioz, i vendosur në mbrojtje të pavarësisë dhe të sovranitetit të vet dhe si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Kam besim se brezat e rinj të historianëve dhe të politikanëve do të arrijnë të nxjerrin të vërtetën ashtu siç ka qenë. Në mbyllje të këtij libri, shpreh dëshirën që të marrin fund sa më shpejt gjendja dhe lufta konfliktuale mes forcave politike të vendit dhe dukuritë e shëmtuara e shkatërruese, si korrupsioni, krimi, trafiqet e të gjitha llojeve etj., që Shqipëria, atdheu ynë i dashur dhe populli im i shtrenjtë, të shpëtojnë sa më parë nga kaosi politik, ekonomik e shoqëror dhe të hyjë në rrugën e normalitetit dhe të prosperitetit. Të triumfojë uniteti kombëtar, të sigurohen qetësia, punësimi dhe mirëqenia për të gjitha shtresat e popullit dhe perspektiva të ndritura për brezat e ardhshëm të shqiptarëve!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT