DETAJE të reja nga grabitja e dështuar te “FiBank”, Bardhyl Fusha “u detyrua” për të kryer vjedhjen: Nuk kam paguar punëtorët e mi, u kam borxh 70 mijë euro

Detaje të reja kanë dalë në pah nga grabitja e djeshme e ndodhur në filialin e “FiBank” te Delijorgji në kryeqytet.
Në një prononcim për Report.tv, autori i ngjarjes, 58 -vjeçari Bardhyl Fusha ka treguar se për të kryer këtë grabitje e ka nxitur borxhi rreth 70 mijë euro që ai u kishte punëtorëve, të cilët nuk i kishte paguar për punën e kryer, duke qenë se ai ishte sipërmarrësi i firmës së ndërtimit.
Në lidhje me ngjarjen, Fusha tregon kishte shkuar edhe më parë te banka pasi aty kryente pagesat.
Si ndodhi grabitja e dështuar e “Fibank”:
Ditën e djeshme ai u afrua pranë bankës fillimisht me automjetin e tij dhe pasi e parkoi diku afër, hyri i armatosur në filialin e bankës.
Në momentin e ngjarjes mësohet se roja e sigurisë nuk ishte për momentin tek dera, por dedektori sinjalizoi se Fusha kishte metal me vete, sepse në momentin që ai hyri brenda bankës ra alarmi.
58-vjeçari nxori menjëherë kallashnikovin nga çanta dhe qëlloi një herë në dysheme. Ai arriti të merrte vetëm 8 milionë lekë të vjetra në njërën prej arkave dhe sapo doli tek dera u arrestua nga blutë e komisariatit numër 2 të Tiranës.
Në lidhje me armën e zjarrit me të cilën grabiti bankën, ai deklaroi se e kishte që prej vitit 1997 dhe e mbante në banesë.
Nga hetimet e kryera, Fusha rezulton të jetë me origjinë nga Gramshi i cili prej vitesh jetonte në Tiranë me familjen në një banesë me qira.