“Qemal Stafa”, parkingu që “po i bën gropën”
Mund të gjesh një mijë e një arsye e argumente, por për një gjë nuk ka pikë dyshimi: nëse dikush pas dekadash do të hapë arshiva gazetash, ku do të mësojë se në maj të vitit 2012 Shqipëria rrezikonte të luante futboll ndërkombëtar (për atë kombëtar lejohet “alpinizmi”) në stadiumin e vetëm që kish, ngaqë në impant s’mund të hyje, pasi Bashkia e kryeqytetit po ndërtonte një parking gjigant, do ta quanin një marrëzi kolektive!
Ata “të shkretë” nuk do të mund të kuptojnë se në këtë qytet gjithseskushi punon në kokë të vet. Se, më së pari, ajo që duhet të jetë më korrekte me ligjin, Bashkia e Tiranës, kujton se historia fillon sa herë përfundojnë një palë zgjedhje e hipën dikush tjetër në fron. Dhe merr e riaktivizon një projekt që ka vite në sirtar e që është hedhur poshtë pikërisht nga këta që janë sot në fuqi. Mirë bën, se në Tiranë ka mbetur të parkosh nëpër çatia, por nga ideja e parë e mirëpritur por e keqpërqafuar e bashkisë “tjetër” ka kaluar shumë kohë. Kohë në të cilën “dikush” tjetër, që mban emrin Federata Shqiptare e Futbollit ka kërkuar që të ndërtojë një stadium për të qenë ku të luajë me dinjitet (e jo për mëshirë) Kombëtarja jonë e futbollit. Apo të luhet dhe ndonjë ndeshje për të qenë e kampionateve tona, apo finale kompeticionesh. Dhe pas shumë përpjekjesh është marrë jo thjesht miratimi, por ka patur dhe një zotim të Kryeministrit të vendit që në “Qemal Stafën”- n e rikonstruktuar të luhej ndeshja përuruese më 28 nëntor të këtij viti, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Tya do mendja që kryebashkiaku actual duhet të ketë dëgjuar të parin e Qeverisë tek e ka bërë këtë premtim, duhet të ketë parë “diku” nëpër televizione dhe projektin e këtij impianti dhe tërë dinamikën e zhvillimeve, kërkesave e e përcaktimeve të atyre përtej Adriatikut – FIFA e UEFA – që duket se janë më seriozë së ç’duhet ndaj karagjozllëqeve tona e që nuk mungojnë edhe për të kontribuar financiarisht që të kemi një stadium për të qenë. Një stadium ku – edhe këtë kryebashkiaku duhet ta ketë dëgjuar, qoftë edhe për pompozitetin e deklarimit – me kërkesë të Kryeministrit, shefi europian i futbollit, Platini u zotua të sillte një finale kompeticioni të kontinentit!
Një stadium që edhe juridikisht nuk është në atë derexhe që mund të “luash arushë” me të: me vendim të Këshillit të Ministrave të kësaj Republike, stadiumi i ka kaluar shoqërisë “Kuq e Zi”, një shoqërie aksionere, me terma financiare të përcaktuar tashmë. Ku shteti nuk ka më shumë se 25% të aksioneve. Një stadium që është i hipotekuar në emër të kësaj shoqërie. Këtu, edhe pse mund të duket thjesht një burokraci, ia vlen të pyesësh: A është marrë leje ndërtimi “sagllam” për ndërtimin e këtij parkingu, që ashtu si çdo leje tjetër, duhet të respektojë ca kondicione urbanistike, një prej të cilëve është se nuk mund t’i shkosh deri në themel tjetrit? Për dreq, do të punohet shumë metra nëntokë se s’dihet ç’pasojë mund të ketë ky parking modern, ndaj një impianti që po mbush 70 vjet që është ndërtuar e mund të çedojë (largqoftë, të jkujtohet rënia e karshisë në atë 17 Nëntori- Partizani 0-1 të rreth pesë dekadave në parë)!
Dhe vjen një moment e na duhet të paguajmë për demagogjinë – duhet me patjetër të bëhet një punë në kryeqytet, me zhurmë kamionash e lëvizjeje me mijra metra kub dhe, që të kuptojnë të gjithë se, “këtu punohet!” – na duhet të paguajmë për karshillëkun – e kush pyet se ç’ka ndërmend të bëjë futbolli – na duhet të paguajmë edhe injorancën – kështu është kur nuk di se si janë lidhur gjërat – na duhet të paguajmë duke… shfryrë topin!
Jemi në prag të një miqësoreje ndërkombëtare të ekipeve të moshave, jemi në prag të ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve tona pjesëmarrëse në Kupat e Europës. Të gjitha të rrezikuara! FIFA e UEFA nuk hyjnë në pazare të kësaj natyre. Ato nuk e konceptojnë t’ju thonë delegacioneve – ekipe, stafe e gjyëtarë -: Erdhët deri këtu? Tani zbrisni nga autobuzi e veturat dhe kaloni te kjo dërrasa këtu për të shkuar te dera e stadiumit. Kujdes se mos bini!?
Për t’u ngushëlluar, të vjen ndërmend vargu i këngës së njohur, “Çdo gjë mund të ndodhë, jetojmë në Tironë…!”
Logjikë keqdashëse
Duke konsideruar që kryebashkiaku e ka ditur idenë e projektin e stadiumit, dhënia e lejes për parkingun dhe fillimi i punimëeve në sheshin para tribunës krytesore të stadiumit “Qemal Stafa”, mund të përkthehet edhe si… stadiumi nuk do të bëhet! Në fund të fundit, fraza, “jemi keq për para” mund të serviret pranueshëm e mund të kapërdihet nga të gjithë në këtë situatë që po kalojmë. Jo më kot, andej nga Qeveria, fjalën përurim të stadiumit të rikonstruktar për festën e Pavarësisë e kanë zëvendësuar me “fillim të punimeve”…
Ku do të luhet…
1. Finalja e Kupës
Nuk dihet ende nëse ky bllokim që i është bërë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” mund të prodhojë pengesë për zhvillimin e finales së Kupës që do të luhet mes Tiranës e Skëndërbeu në 17 majin e ardhshëm.
2. Miqësorja U-19
Pas disa ditësh është vnedosur që në këtë stadium të luhet një ndeshje miqësore e skuadrës U-19. ndeshja është planifikuar por nëse stadiumit nuk i lirohet pamja vështirë që ajo të zhvillohet.
3. Kupat e Europës
Ende nuk dihet se ku do të luajë Tirana në Kupat e Europës. Stadiumi tjetër i qytetit, “Selman Stërmasi” nuk plotëson a skriterin më minimal për të zhvilluar ndeshje kombëtare, e jo më ndërkombëtare.
4. Sfidat kuqezi
Skuadra përfaqësuese duhet të luajë një ndeshje miqësore dhe 3 zyrtare gjatë këtij viti kalendarik. Mesa duket ndeshjet nuk mund të zhvillohet në stadiume të tjera përvecse në “Qemal Stafa”. FSHF ende nuk ka një ide të qartë se si do procedojë në këtë moment.
Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”