Mbi 8 mijë punonjës me diploma nga universitetet private, gjysma e të punësuarve në Bashki të paarsimuar
Mbi 8 mijë punonjës të administratës shtetërore janë diplomuar në universitetet private në Shqipëri, shumica e të cilëve janë mbyllur nga qeveria tre vite më parë, si piramida arsimore. Kjo shifër është konfirmuar nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Nga rreth 80 mijë punonjës që ka administrata shtetërore, KSHMC ka verifikuar 1554 raste, nga ku kanë rezultuar se 10 për qind e tyre janë diplomuar në universitetet publike.
Sakaq, konstatohet një trend në rritje i punonjësve që kanë kryer studimet në universitete jashtë vendit.
“Një vit më parë ishin konstatuar 16 raste të tilla, ndërkohë që gjatë vitit 2017 u evidentuan 51 raste dhe vetëm në 1 rast nuk ishte ekuivalentuar diploma në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në përputhje me ligjin për arsimin e lartë”, thuhet në raport.
Nga kontrolli i 27 bashkive, ka konstatuar se gati gjysma e tyre kanë punësuar njerëz të paarsimuar. Disa nga bashkitë që kanë punësuar njerëz pa arsim janë Bashkia Lezhë, Bashkia Lushnje, Bashkia Sarandë, Bashkia Librazhd, Bashkia Kukës, etj.
“Në këto raste është urdhëruar njësia përgjegjëse të nxjerrë aktin e refuzimit të statusit të nëpunësit civil, dhe të vendosë përfundimin e marrëdhënies së punësimit për këta punonjës, duke evidentuar faktin se ata nuk e përmbushin kriterin e nivelit arsimor, për të qenë nëpunës civilë”./ZgjohuShqiptar.info
NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!