“ANK”-ja e Agim Kolës lider në shembjen e rrugëve, kompania e vëllait të ish-deputetit të PS dështoi me Ersekën, tani i “mori lumi” edhe Librazhdin

Juglindja e Shqipërisë është izoluar prej ditësh për shkak të shembjes së rrugës nacionale në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” në afërsi të Librazhdit. Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policia, Emergjencat Civile dhe kompanitë kontraktore po tentojnë prej ditësh të krijojnë korësi alternative, por çdo ditë konstatohet rrëshqitje në trupin e rrugës dhe faqen e kodrës.
Në këtë zonë janë duke u zhvilluar prej muajsh punime për Korridorin VIII dhe dyshimet janë se kompanitë kontraktore kanë bllokuar përrenjtë dhe kanë marrë inerte nga lumi, ndaj rrëshqitja e gjithë shpatit të kodrës nuk po ndalet.
Siç është raportuar, një nga kompanitë e kontraktuara për këtë segment të Korridorit VIII është dhe ajo e Agim Kolës, e quajtur “ANK SHPK”.
Një kompani e denoncuar dhjetëra herë në media dhe raporte ndërkombëtare, e cila drejtohet nga vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Ndue Kola. Dy vite më parë, kjo kompani është denoncuar në SPAK, por siç duhet, nga mosveprimi ka ushtruar aktivitetin dhe ka marrë këtë tender, duke paralizuar gjithë juglindjen.
Në të njëjtën periudhë, në vitin 2024, kompanitë “ANK SHPK” në pronësi të Agim Kolës dhe “A&E ENGINEERING”, në pronësi të inxhinieres Entela Çano, janë kallëzuar në SPAK për shembjen e aksit rrugor Korçë-Ersekë.
Tenderimi i kësaj rruge është denoncuar prej vitit 2020 nga Partia Demokratike, për shkak të klientelizmit, vlerës së tejfryrë, përfitimit të saj në kufij 100% të fondit limit por edhe zvarritjes së përfundimit të saj.
Për lotin e dytë të rrugës Korçë – Ersekë me gjatësi 17 kilometër janë paguar 50 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, ndërkohë që kompania fituese A.N.K” shpk ka përfituar edhe 4 milionë euro shtesë për punime të paparashikuara.
Në një nga pjesët e lotit të dytë të kësaj rruge, pavarësisht se projekti ka qenë 1 milion euro/kilometër, zbatimi i tij është zvarritur për ta ndryshuar dhe tenderuar për 5 milionë euro për kilometër, në një rrugë më një gjatësi vetëm 4 kilometër.
Tashmë, për shembjen në Librazhd dhe bllokimin e qarkullimit nga/për në juglindje, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet dhe kompania kontraktore për kryerjen e punimeve është sërish “ANK SHPK” në pronësi të Agim Kolës.
“ANK” po shndërrohet nga një kompani e akuzuar për tender klientelistë dhe qëllimisht të tejfryrë në vlerë, në një kompani lider në shembjen e akseve kombëtare rrugore, duke i lënë rrugët, rrugëve.