45 vjet burg për ish-krerët e UÇK, Fevziu: Skandaloze! Dënimi i tyre do të jetë njollë e zezë për historinë

Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar ashpër në emisionin “Të Paekspozuarit” ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënimin me nga 45 vite burg të ish-drejtuesve të UÇK, duke e cilësuar atë si “skandaloze”.
Ai u shpreh se është shokuar nga fjalët e prokurorit lidhur me pretendimet se se ish-krerët e UÇK-së kanë përdorur armë për të goditur stacione policore serbe.
Gjithashtu, Fevziu theksoi se ka frikë se ata po tentojnë ti dënojnë dhe se “dënimi i tyre do të jetë njollë e zezë për historinë e UÇK dhe Kosovës.”
“Skandaloze. Gjykata u bë për trafikun e organeve, prokuroria nuk gjeti gjë për këtë. U bë për krime individuale, asnjëri prej tyre nuk ka akuza personale. Po dënohen sepse është vërtetuar që UÇK ka patur tortura, izolime, dhe për këtë si drejtues, po kërkohet 45 vjet burg për secilin. Komandantët që kanë shkuar për raste konkrete në Hagë, kanë dalë të pafajshëm.
Jam shokuar me fjalën e prokurorit, që deklaroi që Thaçi dhe Veseli, kanë futur raketahedhës, që kanë goditur stacionet policore serbe. Ato janë goditur me raketat e NATO-s. Është çmenduri. Kërkon llogari pse Thaçi ka ndërmarrë akt ndaj policisë serbe. Ata kanë dalë në luftë me Serbinë.
Kam frikë se ata po tentojnë t’i dënojnë dhe dënimi i tyre do të jetë njollë e zezë për historinë e UÇK dhe Kosovës”, tha Fevziu.