Integrim në këmbim të detit?! Jo faleminderit

Nga Skender Minxhozi
Askush nuk mund të negociojë favore dhe kompromise në kurriz të territorit shtetëror. Nuk ka as tagrin dhe as të drejtën për ta bërë këtë. Shteti shqiptar bën mirë ta sqarojë me transparencë të plotë këtë moment delikat, për të cilin është provuar se ka një ndjeshmëri mjaft të lartë nga shtetasit e tij

Qeveria shqiptare ka hedhur në treg idenë se një ashpërsim i marrëdhënieve me Greqinë, për llogari të marrëveshjes detare, do të sillte potencialisht vendosjen e vetos nga ana e Athinës, për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Këto teza kanë dalë nga një material i rezervuar i ministrisë tonë të Jashtme, që u është shpërndarë deputetëve në Kuvend.

Frika e diplomacisë shqiptare ndaj një reagimi të mundshëm për marrëveshjen e ujërave është në fakt pjesë e të njëjtit kompleks që shteti shqiptar ka dëshmuar në gjithë gjatësinë e këtyre 20 vjetëve, sa herë që mes dy vendeve ka pasur çështje të hapura sensitive. Të tilla kanë qenë krizat e viteve ’90, që nga ajo e Peshkëpisë, e qëndrimit ndaj minoritetit grek, e operacioneve “Fshesa” që pasonin si kundërpërgjigje, apo e zgjedhjeve në Himarë, ose edhe më vonë, çështje si ato të arsimit privat grek apo e varrezave të ushtarëve grekë në tokën tonë dhe e censusit të popullsisë. Dosja shqiptaro-greke është plot “gropa thithëse” të tilla, që potencialisht mund t’i fusin marrëdhëniet mes dy shteteve në krizë, në çdo moment të imagjinueshëm.

Problemi i kushtëzimit të mundshëm grek, për shkak të marrëveshjes në fjalë, ka gjithsesi brenda vetes një rrethanë krejt të ndryshme dhe aspak të tolerueshme. Atë të heqjes dorë, potencialisht, nga ana e shtetit shqiptar, të ushtrimit të sovranitetit, mbi pjesë të caktuara të territorit shtetëror. Me fjalë të varfra, nëse kjo tezë e hedhur në mënyrë naive për konsum (qoftë edhe të një numri të vogël personash, siç janë deputetët), po na kërkohet të falim territorin tonë shtetëror, për të marrë në këmbim një dritë jeshile për hyrjen në Europën e bashkuar.

Kjo rrethanë e bën të papranueshme këtë “ujdi” qysh në hapin e saj të parë. Sepse edhe për logjikën më elementare dhe të papërpunuar, dhënia e territoreve është një koncept i paimagjinueshëm. Cilado qoftë oferta. Dhe në këtë rast, ne do ndodheshim në një pozitë dukshëm më të keqe edhe se Maqedonia, e cila po pengohet nga Athina zyrtare jo për pjesë të territorit të saj shtetëror, por “thjesht” për çështjen e emrit të saj.

Ky zhvillim i fundit e komplikon edhe më tej krizën shqiptaro-greke për marrëveshjen detare. Qeveria shqiptare ka zbuluar në javët e fundit, se ndodhet në amulli të plotë, përsa i takon linjës që duhet të ndjekë në këtë mesele delikate, ku tashmë është përfshirë Gjykata Kushtetuese, politika dhe opinioni publik vendas.

Askush nuk mund të negociojë favore dhe kompromise në kurriz të territorit shtetëror. Nuk ka as tagrin dhe as të drejtën për ta bërë këtë. Shteti shqiptar bën mirë ta sqarojë me transparencë të plotë këtë moment delikat, për të cilin është provuar se ka një ndjeshmëri mjaft të lartë nga shtetasit e tij. Precedenti i frikshëm që do të krijonte ideja e shkëmbimit të pjesëve të territorit, me marrëveshje të caktuar dy apo shumëpalëshe, shkon përtej çdo dëmi të imagjinueshëm që mund t’i bëheshin në të ardhmen interesave tona shtetërore e kombëtare. Në fund të fundit, edhe aderimi në BE është një kontratë. Dhe për një kontratë, cilado qoftë ajo, përtej çdo retorike të mundshme patriotike, ne s’mund të falim kurrsesi territorin e vendit ku jetojmë.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT