SPAK shënjestër për krimin e organizuar, Dumani tregon për telefonatat e planet për atentate: Politika pjesë e kërcënimeve

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani në një intervistë për RTSH, ka folur mbi kërcënimet e vazhdueshme të ardhura nga krimi i organizuar apo politika me adresë prokurorët e SPAK si dhe vetë Dumanin.
Altin Dumani flet për kërcënime të rënda, bëhet fjalë për kërcënime nëpërmjet telefonave, apo familjarëve, e deri tek planifikimet për eliminime fizike e atentate.
“Kërcënime nga krimi i organizuar, janë të shpeshta ndaj prokurorëve, përfshirë dhe mua. Niveli i kërcënimeve sa vjen e rritet. Kur ka pasur vend kemi referuar materiale për fillimin e ndjekjes penale. Ka metoda të ndryshme për të transmetuar një kërcënim. Krimi i organizuar janë të sofistikuar. Kërcënime nëpërmjet telefonatave tek familjarët, kërcënime me jetë e deri tek atentatet”, tha Dumani.
Një tjetër formë e diskutuar është qasja e politikës në drejtim të SPAK. Bëhet fjalë për deklaratat e politikanëve për prokurorë specifikë, të cilët Dumani i cilëson si presione direkte për SPAK.
“Kërcënimet nga politika, jeni vetë dëshmitarë nga mëngjesi deri në darkë, prokurorë me emra të përveçëm e me emra familjarësh, kërcënohen, baltosen, fyhen. Politikisht, çfarë është thënë publikisht nga politika janë publike dhe janë të mjaftueshme për tu cilësuar si presione”, tha Dumani.