Qysh prej datës 1356 dhe deri në mes të shek. XIX nuk kemi asnjë informacion për ekzistencën e librave mesjetarë në Shqipëri. Më 1868 Anthim Aleksudhi, Mitropoliti i Mitropolisë së Beratit boton librin me titull Përshkrim i shkurtër historik i Mitropolisë së Beratit2, ku, veç të tjerash, përshkruan dhe disa dorëshkrime, mes tyre 3 në pergamenë të purpurt. Është shumë e lehtë për t’u kuptuar se dy prej tyre janë ato dorëshkrime që sot i njohim si Beratinus 1 dhe Beratinus 2, kurse të tretin e konsiderojmë të humbur. Ky libër bëri që vëmendja e studiuesve të kohës të kthehej nga Berati. Për të studiuar thesaret e Kalasë së Beratit niset Pierre Batiffol, që e përmendëm më sipër, i cili gjithë vëzhgimet e tij i botoi më 18873. Në artikullin e vet, Batiffol përshkruan 16 kodikë që ndodhen në Kalanë e Beratit dhe transkripton të gjithë tekstin e Beratinus 1, të cilin e boton në artikull. Nëse Batiffol-it i njihet merita e sjelljes në dorë të studiuesve perëndimorë teksti i Beratinus 1, pa asnjë kundërshtim Anthim Aleksudhit i njihet merita e prezantimit botërisht të një kodiku që nuk njihej në kohën e tij. Ky i fundit, duke ndjekur shembullin e Batiffol-it, në vitet 1896-1901 vazhdon të botojë pjesëza të një katalogu të kodikëve që ndodhen në Mitropolinë e Beratit4.Gjatë shek. XX historia na sjell më shumë informacione për kodikët e atij që sot është F 448. Këtyre librave u referohet më pas Ilo Mitkë Qafëzezi në artikujt e ndryshëm të tij, si dhe Nikos Veis, studiues grek, i cili ndodhej në Gjirokastër dhe në zonat përreth gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 1951 Veis bonon “Katalog i dorëshkrimeve dhe i librave të shtypur të Mitropolisë së Gjirokastrës”. Nga dorëshkrimet që përshkruhen prej tij, vetëm 1 nga ata ndodhet sot në AQSh dhe mban referencën F 488, D 79 (ose kodiku i Gjirokastrës).Në vitet ’50 të shek. XX këta libra filluan, pjesë-pjesë, të sillen në Arkivin e Shtetit, prurje e cila vazhdoi deri në fund të viteve ’80. Këtu u bë për herë të parë dhe një inventarizim i këtij koleksioni, si dhe u përgatitën pasaportat shoqëruese të çdo dokumenti, ato që sot janë botuar si “Katalog i kodikëve Mesjetarë kishtarë të AQSh” hartuar nga i ndjeri Theofan Popa5.III. Vlerat dhe të veçantat e librit mesjetarPas këtyre informacioneve, natyrshëm lind pyetja: Ç’na duhen sot këta libra, pse duhet të shpenzojmë kohë dhe para me ta, dhe jo me diçka tjetër? E para, këta nuk janë libra të zakonshëm, por libra që bartin një traditë të caktuar tekstesh, na flasin për mënyrën e ndërtimit të librit para epokës së Gutenberg-ut, por edhe pas shpikjes së shtypshkronjës. Transmetojnë një traditë të gjatë dhe shumë të ndërlikuar të materialeve me të cilat është prodhuar libri, si dhe janë objekt i gjerë studimi i historisë së artit. E dyta, këta libra u mbijetuan shekujve, në luftë apo paqe, u lakmuan nga shumë vetë, shërbyen si objekt që trajtohej me respekt të veçantë dhe u atribuoheshin vlera të veçanta. Bashkë me pasuritë e tjera që na kanë lënë paraardhësit, na lanë edhe këta libra, të cilët janë pjesë e identitetit tonë si popull.
Më tej, po të flasim për vlerat specifike që bartin, mund të shtriheshim në më shumë tema. Në këtë koleksion kemi një potpuri tiparesh të veçanta që bartin, zakonisht, librat e Mesjetës. Mënyra e shkrimit, vijëzimet e fletëve, forma e dekoreve, ngjyrat e përdorura, kapakët, emrat e shkruesve dhe vendet e shkrimit janë tipare të përgjithshme që e bëjnë çdo kodik të Fondit 448 të papërsëritshëm. Ndryshimet më të dukshme i hasim, p.sh., tek dekoret, çka të orientojnë për nga ndikimi kulturor që ka pasur dekoruesi i kodikut në fjalë, apo tek forma e shkrimit, elementë këta që tregojnë edhe datën e lindjes së kodikut. Më pas, mënyra e lidhjes dhe kapakët tregojnë me përafërsi zonën gjeografike ku janë punuar kapakët. Ose, më tej, mënyra si numërtohen fletët apo fashikujt, shenjat e ndryshme dalluese që vendosen përgjatë tekstit për të ndihmuar lexuesin. Shprehur në terma të përgjithshëm, kodikët e F 448 u përkasin disa zonave të ndryshme. Kemi kodikë me prejardhje perandorake (Konstandinopoja ose qendrat e mëdha përreth saj), kodikë nga zona e Epirit (zona e ndodhur në perëndim të maleve të Pindit dhe Perëndimi i jugut të Shqipërisë), si dhe kodikë që i përkasin zonës së Italisë së Poshtme (Otranto, gadishulli Apenin). Fatkeqësisht, jo të gjithë kodikët japin informacion të saktë mbi datën e shkrimit, shkruesin dhe vendin e shkrimit. Është mëse e zakonshme që, fleta e fundit e kodikut, ku ndodhen këto të dhëna, të jetë dëmtuar ose këputur. Megjithatë, disa informacione të këtij lloji i kemi ende. P.sh., sipas shënimit në fund të kodikut, Minai ka kopjuar kodikun nr. 10 të Vlorës; murgu dhe dhjaku Joanik ka kopjuar kodikun e Beratit nr. 21; Mihail Slavopuli ka kopjuar kodikun e Beratit nr. 23; Joan Halkeopuli ka kopjuar kodikun e Beratit nr. 34; Teodori, logotet i Beratit, i burgosur në kështjellën e Skraparit, ka kopjuar kodikun nr. 50 të Beratit; Joani, i biri i të ndjerit Gjergj, ka kopjuar kodikun nr. 60 të Beratit; Nikolla, prift në Voskopojë ka kopjuar kodikun nr. 84 të Voskopojës, etj. Interesant është rasti i kodikut nr. 66 të Beratit, një nomokanon i kopjuar në vitin 1612 nga Gjinoja, prift dhe ikonom i Pogonit. E veçojmë këtë rast sepse emri “Gjino” është një emër tipik shqiptar që në këtë rast e hasim në zonën e Pogonit (fig. 15: kodiku i Beratit nr. 66, Nomokanon i Manuel Malaksosit, 1612).
IV. Lënda e shkrimit, pergamena, letra dhe bojëratPër të prodhuar librin e dorëshkruar, në rastin tonë, librat e koleksionit të mësipërm, zakonisht përdorej pergamena dhe letra. Pergamena ka zakonisht ngjyrë të bardhë ose pak si të verdhë. Janë përdorur të gjitha llojet e pergamenës, që nga ajo e purpurt, pergamenë që përdorej vetëm me urdhër të perandorit dhe për dokumente perandorake, deri tek palimpsesti, pergamena e përdorur më shumë se 1 herë. Bie shpesh në sy pergamena e bardhë luksoze, e përpunuar në mënyrë të shkëlqyer, si në rastin e kodikut të Korçës nr. 92, apo të kodikut të Vlorës nr. 10, shenjë treguese se librat e kanë prejardhjen nga scriptorium-et e qendrës së Perandorisë Bizantine. Kurse për librat e shkruar në letër janë përdorur të dy tipat e letrës së zakonshme për kohën, letra orientale (quhet edhe letër arabe apo bombicin), dhe letra perëndimore (që prodhohej me një teknologji të njëjtë si letra orientale, por e modifikuar dhe e përmirësuar në Itali, fillimisht në Fabriano, nga ku u shpërnda në gjithë Evropën perëndimore). Teksti shkruhet gjithmonë me dorë, nëpërmjet një kallami të mprehur në majë, apo nëpërmjet pendëve të shpendëve, të përshtatura për shkrim. Maja e penës apo pendës (shpesh këto emërtime ngatërrohen njëri me tjetrin) ngjyhej pak në bojë dhe pastaj me të shkruhej mbi pergamenën apo letrën (në raste të tjera edhe mbi papirusin) e mbështetur mbi gju, dhe jo në tryezë. Është interesant fakti se, në Mesjetë, tryeza, apo bangoja e punës, përdorej për të vendosur mjetet e nevojshme për shkrimin ose kopjen amë nga i cili kopjohej teksti, dhe jo librin e ri që po shkruhej. Bojërat, zakonisht, përftoheshin nga lëndë natyrore: kryesisht përdorej bloza dhe kjo bojë quhej atramentum ose encaustrum, e cila përzihej me rrëshirën e palmës (e quajtur edhe gomë arabe). Në kohë dhe vende të ndryshme kësaj përzierjeje i shtohej lëndë nga lëvorja e lisit apo kripëra minerale (si sulfati blu). Analogjia e këtyre përbërësve përcaktonte dhe nuancat e bojës, duke e bërë të zezë të fortë, kafe apo kafe të çelët.Për dekoret e dorëshkrimeve janë përdorur, zakonisht, ngjyra të ndryshme nga ajo e tekstit kryesor. Haset shpesh boja e kuqe, e kaltër, blu e errët, e verdhë, etj., të cilat, po ashtu, prodhohen nga përbërës natyrorë, nga bimët, insektet apo gjallesat e detit. Në kodikët që hyjnë në kategorinë e librave të luksit, hasim dhe dekoret ku është përdorur gjerësisht ari, qoftë në disa germa, qoftë në miniatura.V. Kodikët e AQSh dhe UNESCOKodiku i Purpurt i Beratit nr. 1 (emërtuar ndryshe Beratinus Purpureus, fig. 16: kodiku i purpurt i Beratit nr. 1) dhe Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 2 (emërtuar edhe Aureus Anthimi, fig. 17: kodiku i purpurt i Beratit nr. 2) janë regjistruar në vitin 2005 në Regjistrin e Trashëgimisë së Botës të UNESCO-s. Motivi i futjes së këtyre dy dokumenteve në Regjistër ishte: “Rëndësia e tyre për komunitetin e përbotshëm si bartës të zhvillimit të literaturës së vjetër biblike, liturgjike dhe hagjiografike. … Këta dy kodikë përfaqësojnë një nga thesaret më të çmuar të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”. Duhet theksuar se roli i UNESCO-s në këtë rast është thjesht promovues. Kodikët ruhen në AQSh, sipas ligjeve në fuqi të Shtetit Shqiptar dhe janë shpallur dokumente me rëndësi historike kombëtare.
VI. Kodikët mesjetarë, veprimtari dhe ekspozita në Shqipëri dhe jashtë sajNga fillimi i muajit maj të vitit 2010, për një muaj e gjysmë qëndroi e hapur në mjediset e AQSh në Tiranë ekspozita “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”, ku objekt i ekspozitës ishin 46 kodikë (në origjinal) të fondit për të cilin flasim, dhe 28 panele me pamje të përgjithshme apo detaje nga 54 kodikë. Ishte hera e parë në historinë e arkivit dhe të vetë kodikëve që paraqiteshin për një kohë kaq të gjatë, në një numër kaq të madh, për publikun e gjerë shqiptar. Kjo ekspozitë u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Arkivi Historik dhe Paleografik i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Fondacioni Grek i Kulturës – Vatra Tiranë.
Për shkak të vështirësive praktike që paraqet çelja e së njëjtës ekspozitë në mjedise të tjera jashtë arkivit apo në qytete të tjera, ideja e promovimit edhe më gjerë të këtyre thesareve të vazhdoi përmes paneleve fotografike. Kështu, në bashkëpunim me Mitropolinë e Korçës dhe me pushtetin vendor të qytetit të Korçës, kjo ekspozitë u hap në janar të vitit 2011 në Qendrën Kulturore të qytetit dhe qëndroi e hapur për një javë. Po ashtu, në qershor 2011 ekspozita u hap edhe në Prishtinë, ku vizitorët patën mundësinë të shikonin për herë të parë pamjet e Fondit 488 të ekspozuara në mjediset e Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës.
Së fundi, në korrik 2011 këtë ekspozitë e çelëm pikërisht në vendin ku kanë qëndruar një pjesë e madhe e këtyre librave, në kishën e Hyjlindëses, sot Muzeu “Onufri” në kala të Beratit. Ekspozita, fillimisht, u çel në Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani” në Berat ditën kur qyteti festonte 3 vjetorin e regjistrimit në regjistrin e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, dhe për mbi 2 muaj qëndroi e ekspozuar në Muzeun “Onufri”. Më pas udhëtimi i ekspozitës vazhdoi në muzetë historikë të qyteteve të Fierit dhe të Lushnjës.
Shumë e rëndësishme për njohjen dhe promovimin e koleksionit të dorëshkrimeve të Tiranës ishte dhe pjesëmarrja e 14 kodikëve (në origjinal) në ekspozitën “Shkëlqimi i Bizantit. Dorëshkrime bizantine të dekoruara në Ballkan”, çelur me rastin e Kongresit të 22-të Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine në Sofje, Bullgari. Ekspozita qëndroi e hapur në datat 22 gusht – 30 shtator 2011 dhe u vizitua nga rreth 9 000 vizitorë.
Në datat 23-25 maj të vitit 2012, me rastin e marrjes së presidencës së Këshillit të Evropës, në mjediset e Këshillit u çel një ekspozitë e vogël me qëllim paraqitjen e thesareve të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Pjesë e ekspozitës ishin dhe katër fletë nga dy kodikët e purpurt, Beratinus 1 dhe Beratinus 2 ” (përkatësisht dy fletë nga secili), si dhe kapaku i argjendtë i Beratinus 1.[5] Theofan Popa, “Katalog i kodikëve kishtarë mesjetarë shqiptarë”, Kodikët e Shqipërisë, Tiranë, 2003, f. 87-198./ZgjohuShqiptar.info
Back to top button