Nga dadot te kuzhinierët, ja cilët të huaj po punësohen masivisht në Shqipëri

Shqipëria ka arritur rekord për punësimin e shtetasve të huaj, të cilët arrijnë në mbi 22 mijë deri në qershor 2026, nga 18 mijë që ishte numri i tyre deri në dhjetor 2025.
Konkretisht, sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER), dhënë për Monitor nga Policia e Shtetit, numri i të huajve të punësuar në vend arriti në 22,693 shtetas deri më 30 qershor 2026.
Numrin e të huajve të pajisur me leje unike si punëmarrës e kryesojnë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Këto vende kanë së bashku 10 258 leje unike për punëmarrës, duke përbërë rreth 50% të totalit të të huajve të punësuar në vend.
Konkretisht, numri i shtetasve nga Filipinet deri në qershor 2026 arriti në 3 552 të pajisur me leje pune, duke përbërë rreth 16% të totalit të të huajve të punësuar në vend.
Pas tyre renditen shtetasit nga India me 3 423 të punësuar, ose 15% të totalit. Shtetasit nga Egjipti arritën në 3,283 të punësuar.
Më pas renditet Turqia me 1 503 leje unike për punëmarrës dhe Italia me 1,306 leje.
Ndër shtetet e tjera me numrin më të lartë të punëmarrësve të huaj të pajisur me leje unike janë SHBA-ja me 619 leje, Indonezia me 229 shtetas dhe Kina me 212 shtetas të pajisur me leje unike si punëmarrës, etj.
Vitet e fundit, shumë sipërmarrës, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, si baret dhe restorantet, kanë pohuar për Monitor se kanë rritur ndjeshëm punësimin e shtetasve të huaj nga Filipinet dhe India.
Shumë shtetas nga këto vende janë të punësuar në bare dhe restorante në pozicione pune si kamerierë, pastrues apo kuzhinierë. Punësime të tjera janë bërë edhe në fabrikat e prodhimit, të cilat po punësojnë inxhinierë të rinj nga India.
Ndërsa shtetasit nga Egjipti punësohen kryesisht në sektorin e transportit, blegtorisë dhe agroturizmit.
Po ashtu, punësimi i të huajve është zgjeruar edhe në familje. Shtetase nga Filipinet po punësohen si personel për kujdesin ndaj fëmijëve (dado), të moshuarve ose për mirëmbajtjen e shtëpisë.
Italianët dhe shqiptarët e Kosovës vijojnë të kryesojnë vetëpunësimin
Ndryshe nga lejet unike për punëmarrës, të cilat dominohen nga shtetasit e Filipineve, Indisë dhe Egjiptit, lejet unike për të vetëpunësuar kryesohen nga shtetasit italianë.
Nga gjithsej 2 361 leje unike për të vetëpunësuar, 868 u përkasin shtetasve italianë, ose rreth 37% e totalit.
Pas Italisë renditet Kosova me 283 leje, e ndjekur nga Turqia me 199, SHBA-të me 198, Ukraina me 92, Siria me 68, Gjermania me 67 dhe Polonia me 65 leje unike për të vetëpunësuar, etj…