Shkon në 26 numri i viktimave nga COVID-19, humb jetën 64 vjeçarja

Një 64 vjeçare e infektuar me COVID-19 humbi jetën ditën e sotme. Numri i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 26. Ministria e Shëndetësisë njoftoi për ndarjen nga jeta të 64 vjeçares që ishte në gjendje të rëndë te “Shefqet Ndroqi”.
“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një paciente 64-vjeçare nga Tirana e intubuar prej më shumë se 2 javësh. E shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja shëndetësore e pacientes është përkeqësuar mëngjesin e sotëm dhe ka bërë arrest kardiorespirator.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor të reanimacionit nuk ka mundur të mbijetojë. 64-vjeçarja kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor”, thuhet në njoftimin e MSH.