Qosja: Shqipëria u çlirua nga një makth. Rama duhet të ndërtojë një shtet të së drejtës
Në ditëlindjen e 77-të të tij, akademiku Rexhep Qosja ka folur për zgjedhjet në Shqipëri dhe si e sheh Edi Ramën kryeministër.
“Ndërrimi i pushtetit në Shqipëri ishte i pashmangshëm dhe i
domosdoshëm. Ky ndërrim, mjerisht shumë i vonuar, përfaqëson interes të
madh kombëtar. Dhe, ky ndërrim duhet të gëzojë çdo shqiptar që e do
Shqipërinë dhe që i do shqiptarët kudo qofshin ata. Shqipëria kishte një
person politik, në të cilin ishin mbledhur të këqijat plotësisht të
pamjaftueshme në kohën në të cilën jetojmë, me marrëdhëniet shoqërore që
ndërtojmë, domethënë me demokracinë, me vlerat shoqërore, kulturore,
shpirtërore, morale që duhet të ndërtojmë. Ai ishte një antikulturë
politike, shtetërore dhe shoqërore, që mendjen time e ka ngarkuar me
çudinë: si e duroi populli shqiptar kaq gjatë këtë antikulturë. Ai ishte
makthi i Shqipërisë dhe, për fat, Shqipëria u çlirua prej tij”, shprehet Qosja
Sipas tij marrëdhëniet Shqipëri- Kosovë nuk varen nga politika. Se si e sheh Edi Ramën kryeministër, ai përgjigjet: “Para
së gjithash duhet të jetë e qartë se ndërtimi intelektual, politik e
kulturor i Edi Ramës ndryshon rrënjësisht prej ndërtimit të paraardhësit
të tij. Edi Rama është, para së gjithash, intelektual e intelektuali
nuk e kupton politikën si mjet për sundimin e njerëzve, por si mjet për
shndërrimet e përgjithshme shoqërore, ekonomike, politike, shtetërore,
kulturore e të tjera. Edi Rama, siç është parë edhe në fushatën që bëri
Partia Socialiste, e ka mësuar shumë mirë politikën por, natyrisht,
politikën moderne, që aq shumë i duhet sot Shqipërisë. Për mua është e
sigurt se Edi Rama me bashkëpunëtorët e tij dhe me aleatët e tij në
politikën shqiptare do të fusë atë që aq tragjikisht ka munguar në këtë
politikë: do të fusë kulturën, kulturën si vlerë, si traditë e si
përditësi, kulturën si vlerë kombëtare dhe si vlerë universale, kulturën
në politikë dhe kulturën në jetë. Dua të besoj se Edi Rama do të sjellë
në politikën shqiptare atë që tragjikisht ka munguar: Përkushtimin ndaj
së drejtës dhe drejtësisë, përkushtimin ndaj të vërtetës. E para për
t’i bërë të gjitha këto që thashë, Edi Rama me bashkëpunëtorë dhe me
aleatët duhet ta bëjnë Shqipërinë shtet të së drejtës. Pa shtet të së
drejtës nuk ka demokraci. Dhe atëherë kur Shqipëria të fillojë të
funksionojë si shtet i së drejtës, në gjykatoren kryesore të Tiranës, do
t’i shohim fajtorët e dramës së madhe të viteve 1996- ’97, fajtorët
politikë dhe administrues të tragjedisë së Gërdecit, fajtorët politikë
dhe administrues të vrasjes së katër protestuesve më 21 janar dhe
kampionët e korrupsionit”, është shprehur Qosja në gazetën Shqip.
Sipas tij, po nuk ndodhën këto, Shqipëria do të vazhdojë të ecë me
barrën e krimeve, korrupsionit, plaçkitjes së pasurive kombëtare, me
barrën e neveritshme të rrenave dhe mashtrimeve.
Megjithatë Qosja shprehet optimist, ndonëse nënvizon se “Aleanca për
Shqipërinë Europiane” do të ketë shumë punë pasi po merr në dorë fatet e
një shteti të rrënuar ekonomikisht dhe të kërcënuar nga kriza.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.