Kufiri detar me Greqinë, Bushati i kërkon Metës “leje” për negociatat
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, i ka kërkuar sot zyrtarisht Presidentit të Republikës Ilir Meta, plotfuqishmërinë në lidhje me nisjen e negociatave dypalëshe të Shqipërisë dhe Greqisë, për një sërë çështjesh, mes të cilave, kufiri detar, heqja e ligjit të luftës etj.
Burime diplomatike bëjnë të ditur për Report TV se në kërkesë mungojnë emrat e negociatorëve.
Letra mbërriti sot në presidencë dhe ajo i është dërguar për dijeni edhe kryeministrit Edi Rama.
Te kërkesa e Bushatit, kërkohet që negociatat të kryhen nga përfaqësues të ministrisë së Jashtme, ministrisë së Mbrojtjes, ministrisë së Brendshmes, ministrisë së Ekonomisë dhe Institutit të Gjeografisë.
Në kërkesë nuk kërkohet asnjë përfaqësues nga Presidenca.
Para tre ditësh, burime nga Presidenca pohuan se kreu i Shtetit nuk e ka dhënë plotfuqishmërinë për ekipin negociator shqiptar që të bisedojë me palën greke, pasi askush nuk e kishte kërkuar.
Por çfarë do të thotë dhënia e plotfuqishmërisë?
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2009, e cila rrezoi marrëveshjen e parë të detit, Ministria e Jashtme duhet të vinte në dijeni presidentin e asaj kohe dhe të merrte lejen.
Pas atij vendimi, kjo procedurë është e detyrueshme dhe mosrespektimi rrezikon marrëveshjen e re./ZgjohuShqiptar.info