“Në emër të Allahut predikon urrejtje”, Rama ndan foton e qytetares: Besimtare e shitur!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ashpër përmes rrjeteve sociale lidhur me protestat qytetare që po zhvillohen në Tiranë. Përmes një postimi të shoqëruar me foto, kreu i qeverisë ka bërë një ndarje të qartë mes qytetarëve që ngrihen për një kauzë të sinqertë dhe atyre që i konsideron si përfitues politikë.

Sipas Ramës, pas këtyre kryengritjeve fshihen “përfitues të turlillojshëm” dhe “patriotë të shtirur”, të cilët financohen nga paratë e huaja apo interesa të errëta vendase. Ai ka akuzuar këta individë se e kanë kthyer një protestë legjitime për natyrën në një terren urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.

Kryeministri ka publikuar imazhe të një qytetareje, që sipas tij predikon urrejtje dhe thërret për kryengritje. Rama ka theksuar lidhjet e dyshimta të këtyre eksponentëve me figura të regjimit të Teheranit, duke i cilësuar ata si shpirtra të korruptuar që helmojnë të rinjtë pjesëmarrës.

“Mos u merr me protestuesit…

Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër.

Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.

Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, ka shkruar Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT