Nga vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve tek vetingu për politikanët
Nga Edison Balla

I ashtëquajturi tashmë Ligji i Dekriminalizimit që u propozua në fillim nga Partia Demokratike dhe u miratua në vitin 2015 në Kuvend, solli duhet thënë edhe largimin nga politika e insitucione të tjera të administratës të një numri të konsiderueshëm personash që kishin pasur probleme me të shkuarën e tyre.
Dekriminalizimi përtej të qenit një ligj u provua që më shumë se aq ishte një domosdoshmëri e pastrimit të klasës politike ekzistente, dhe të atyre që mund të aspirojnë nesër për të kandiduar në poste kyçe politike por edhe jo vetëm.
Këtë herë edhe pse nuk është më në parlament për të propozuar e miratuar ligje, pasi parlamentin e ka braktisur tashmë prej një viti opozita ka propozuar jashtë tij një nismë tjetër për pastrimin e mëtutejshëm të politikës, që kryedemokrati e ka cilësuar si “veting” për politikanët dhe kandidatët që synojnë të futen në parlament apo në bashki.
Pra kjo mënyrë është thuajse e njëjta gjë si vettingu që po bëhet sot në sistemin gjyqësor. E për të bërë veting për kandidatët që synojnë nesër të bëhen deputetë apo të kandidojnë në një post tjetër, Basha ka propozuar që të ngrihet një organ i veçantë që do të bëjë vlerësimin e subjekteve.
Por ajo që ndodh rëndom në këto procese kaq delikate është mosbesimi i palëve tek njëra-tjetra. Për krahasim njëjtë siç po ndodh sot me procesin e kontrollit të figurës së gjyqtarëve e prokurorëve që për një pjesë të madhe opozita ka akuzuar se po vlerësohen sipas interesave të mazhorancës.
Referuar rrethanave të krijuara është padyshim i nevojshëm një proces që do të kalonte në sitë çdo kandidat për deputetë ose kryetarë bashkie, por siç edhe e cekëm më sipër ajo që e bën të vështirë e të aludueshëm këtë është mosbesimi që palët politike kanë thuajse gjithmonë tek njëra tjetra.
Gjithsesi nuk dihet akoma nëse propozimi i Partisë Demokratike është thjeshtë një artikulim politik në aksionin e saj opozitar, apo do të jetë pjesë e propozimeve të reformës zgjedhore siç edhe në fakt është thënë paraprakisht nga kreu i PD-së Basha./Gazeta SHQIP