Opinion i trishtuar, por miqësor

Nga Myslym Pashaj*
Sa shumë! Sa shumë universitete dhe departamente me emra të epërm, sa fakultete “planetarë”, “europianë”, “mesdhetarë”, sa institute studimore me “gjeo”, sa shumë agjenci kërkimore të hidrokarbureve dhe xeherorëve, sa shumë departamente për të drejtën ndërkombëtare dhe detare, sa shumë agjenci hulumtimi mjedisi për detin dhe valët, për peshqit dhe ngjalat, sa shumë kërkime për lagunat dhe gunat, sa “OJF” me dhëmbë e pa dhëmbë, sa shumë skafe dhe motoskafe, sa shumë turistë dhe kërkues shkrimesh në Grammata, në thellësi ku ka kanë rënë anijet antike dhe nja tre akademi shkencash (edhe të Kosovës, pse jo dhe atë të Tetovës), sa shumë “shkencëtarë” që merren me gjeofizikën e Remote Sensing të radarëve, sa shumë Krisafë (profesori në fjalë është kryetar i Akademisë së Re) me qendër në Universitetin  Europian të Tiranës, sa shumë… dhe për lumë.
Sa shumë dhe për lumë në Shqipërinë e lume! Dhe o zot sa pak, aspak, në firmë të fundit të përkushtimit studimor dhe të përgjegjësisë intelektuale shqiptare për objektivët madhorë, studimorë zhvillimorë të Shqipërisë në këtë dy dhjetëvjeçarë të greminës sonë, ku para syve të “shkencëtarëve” ndahej një det i historisë dhe pasurisë shqiptare dhe ndërkohë polifonia e ngjirur e thënë aty sipër “qesh në vedi” dhe mblidhet skrupull  në vetveten e saj të dështuar.
Dhe o zot sa pak… aspak dinjitet, në sy të këtij shteti, që u kap dhe ende është i kapur, që në hapësirë-kohën e dhimbjes së fatit kombëtar shqiptar ia nxjerrin sytë dhe ia shkëpusin me “shkencë” hapësirat detare siç ndodhi.
Dhe prof. Krisafi, tani nga poltroni i tij studimor i epërm, zëdhënës dhe zëmarrës, ia merr këngës shqiptare për shtatë palë qejfe për të na thënë për të “ashtuquajturën marrëveshje”, e cila shkaktoi reagimin e rretheve të gjera të specialistëve, gazetarëve, politikanëve dhe njerëzve të thjeshtë…
Sa e gënjeshtërt është kjo thënie përgjithësuese, kaq trishtueshëm dhe e pavend.
Krisafi e di se në atë fillim dramatik të ububushëm për diplomacinë dhe krahun studimor shqiptar, nuk mund të kish akt më të turpshëm dhe unik në botë. Nuk u pa në skenë asnjë specialist, asnjë kontribut teknik, me përjashtim të mediumeve që dolën në natyrën e tyre të “isos” ndaj një fakti, por fakti dhe hulumtimi vjen prej agjencive hulumtuese që i ka shteti me shumicë… që mbyllën sytë e mbyllën gojën, lexuan gazetat dhe komentuan pranë filxhanit me kafe si fallxhorë dhe qëndruan spektatore. Dhe kryetari aktual i AKSH ngriti supet “se s’kish lidhje Akademia…”
Heshtën në kokëulje dhe stepje shtetërore Instituti Gjeografik Ushtarak dhe Instituti i Gjeoshkencave të komanduar nga shteti.
Opinioni duhet ta dijë se asnjë hartograf, hidrograf, topograf, gjeolog, hidrometerolog, jurist i të drejtës detare dhe ndërkombëtare (përveç profesor Pëllumb Xhufit (historian), profesor Lisen Bashkurtit (diplomat) në emisione televizive) …asnjë e asnjë tjetër për be nuk u bë i gjallë për të dalë në transhenë e dinjitetit studimor. Ndërkaq nuk mund të lihen në harresë dhe i ndjeri Veli Llakaj, po kështu gjeneral Vinçani, të cilët dhanë kontributin e tyre si ushtarakë.
Ata na paskan qenë të shumtë, siç thotë Krisafi.
Na duhet të flasim hapur, ndonëse hidhur prej këtij realiteti të gjymtuar, kur lëngu thelbor i përkushtimit studimor dhe kombëtar, ka mbërritur në cipën e tharjes, kur duhet të ishte kryefjalë.
Dua të sjell më poshtë dhimbjen që kam përjetuar në tre raste kur në vetminë studimore të fushës sime, pata nevojën e konsultimit dhe të mbështetjes dhe për këtë iu drejtova profesorit tim të njohur, Agim Shehu. Në jo më shumë se tre apo katër orë në telefon ia mbërrin telefonata kërcënuese familjare e zërave qeveritarë që donin të përgënjeshtronin atë që profesori kish deklaruar. Kështu ai “u largua apo e larguan…”   prej këtij fronti të përbashkët studimor dhe oponencial.
Të dytit iu drejtova mikut tim, që është aktualisht sekretar i Akademisë së Shkencave, profesor S. Bushatit, duke i thënë se do t’i shkoja në zyrë. Po ai më dha shenjë se nuk kish punë “për atë çështje” në zyrën e tij.
Të tretit iu drejtova një gjeodeti të njohur, Përparim Likaj, i cili më mbështeti me fjalë urimi, por nuk iu bashkua forumit që doja të krijoja.
Ato ditë qeveria organizonte lektoriume të turpshme, siç ishte ai në Universitetin Europian të Tiranës, ku Krisafi është profesor, ku iu jepej argumenti madhor njerëzve që u bënë personazhe groteskë të marrëveshjes si Ferit Hoxha, diplomat i lartë në OKB dhe kundëradmiral Gervenit, që u bënë laborantë virusalë antikombëtarë sup më sup me Berishën e sundimit. Gjithçka në harmoni me vijën melodike e këngës së vdekjes në shtetin e kapur të turpit. Dhe sytë e “shkencëtarëve ndrinin …” nga ngazëllimi.
Ndërkaq më pas u njoha edhe me profesor Krisafin, i cili ishte njeriu që bartte vlera njohëse shumë kompetente të së drejtës ndërkombëtare, kontributi i të cilit në materialin e përgatitur për Gjykatën Kushtetuese ishte themelor.
E pyeta Krisafin përse vallë më parë se të shkohej në Gjykatën Kushtetuese, ai të dilte në arenën e argumenteve të hapur me qëndrimin e tij profesional, mbasi kështu edhe më mirë dhe do të dukej një front më i gjerë dhe më i besueshëm edhe në planin diplomatik. Por ai ma shprehu hapur se “ishte anëtar në disa borde… dhe ju e dini se… ç’ndodh në to…”, përfundoi profesori, i cili sot në mëngjes doli se paska pasur kaq shumë specialistë e shkencëtarë … të harruar.
Pata rastin që të njihesha me dy juristë politikanë të rinj, Saimir Tahiri e Damjan Gjiknuri, të cilët para ca ditësh i pashë që të ishin në radhuan e bukur të qeverisë së re. Një predispozitë e lartë vlerësuese për këtë brez të ri, të cilët në jo më shumë se dy tre ditë dendësuese në grumbullimin dhe analizën e të dhënave me një përkushtim, lodhje dhe stres real,  punëpaprerë, të pagjumë dhe të thellë, që të dy, bënë në GJK një nga mbrojtjet më të bukura dhe dinjitoze, të cilat do të shënohen në historinë e të drejtës ndërkombëtare dhe atë detare, por edhe në kontributin e tyre të paharruar.
Më pas, asnjë nga institucionet apo “shkencëtarët” që gjasme janë me shumicë nuk ka marrë pjesë në debat, asnjë workshop apo lektorium i organizuar, me përjashtim të një referati të mbajtur nga profesor Krisafi në “show-n” themelues të Akademisë së Re të Shkencave, ku profesori tha po të njëjtën frazë “lapidare”: “Pazaret e Zogut dhe të dajës së tij, Esat Pashë Toptanit me Pashiçin e Serbisë… Vermoshi e Shën Naumi …etj”, që s’janë studim dreqi e mori; e po kështu edhe citimet që po sjell nga artikujt e profesor Krisafit nuk janë aspak profesionale e të vërteta :
“Kurse sipas Protokollit të Firences së vitit 1925, në hapësirën detare që shtrihet nga piramida 79/III, kufiri detar ndjek perpendikularen që fillon prej saj dhe vazhdon në zonën e kanalit të Korfuzit në vijën e mesit midis dy brigjeve. Sikurse Shqipëria ka pranuar në heshtje gjerësinë e ujërave territoriale greke në masën e 6 miljeve, ashtu edhe Greqia, në të njëjtën mënyrë ka pranuar gjerësinë prej 12 miljesh detare të shpallur nga shteti shqiptar dhe përcaktimin e vijës së kufirit detar në zonën e Kanalit të Korfuzit tek mesi i tij”. (shiko:http://www..revistadrini.com/?p=29506 )
Po kështu skandaloz është edhe citimi i mëposhtëm se “kufiri ka mbetur atje ku ishte deri para 27 prillit 2009 dhe nuk është zhvendosur as një milimetër, kurse territorit shqiptar nuk i është hequr asnjë milimetër kub tokë, ujë apo ajër. Ai duhet të shqyrtohet e të përshtatet me realitetet bashkëkohore dhe me parimet dhe normat e së drejtës aktuale të detit”. (shiko: http://www.gazetatema.net/web/2012/11/1).
Autori i këtij shkrimi i ka dhuruar Krisafit një libër voluminoz studimor “Deti që nuk falet…” (Botimet MAX, 300 faqe), i cili u botua para tre vjetësh, duke kujtuar se për studime të ndërsjella kemi nevojë të diskutojmë së bashku, jo që të thurim ditirambe dikujt… por në radhë të parë të promovojmë studimet. Mirëpo heshtja, me sa duket, është pjesë e rrënimit që kanë agjencitë studimore të këtushme dhe narcizizmi i tyre foshnjor.
“Kur do të hedhësh gurin, mate se ku deri të arrin…”.
Guri që hodhi në këtë intervistë Prof Krisafi, nuk e arrin atje ku na duhet që të zhdrivillojmë se ç’po ndodh me këtë shtet të kapur, që edhe shkencën e ka po kësilloj “të kapur”, ku  “shkencëtarët” (e fushës për të cilën bëjmë fjalë) s’kanë se me kë të lozin dhe hahen me vetveten e Shyqyrzotit. Amen!
*Profesor në Universitetin Politeknik

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT