Integrimi evropian dhe detyrat e shtëpisë që nuk bën dot Shqipëria

Integrimi evropian vazhdon të mbetet akoma synimi kryesor i Shqipërisë edhe pse tashmë kanë kaluar plot 30 vite nga “premtimi” i arritjes së këtij synimi. Edhe pse vitet kalojnë shqiptarët vazhdojnë të “ushqehen” nga po i njëjti besim dhe shpresë se një ditë mund t’i bashkohemi komunitetit evropian.

Por sot duhet thënë se ky besim po zbehet dita-ditës, pasi tek qeverisjet ikin e ndërrohen ne nuk po ja dalim dot të përmbushim “detyrat e shtëpisë” që na ka vënë Bashkimi Evropian. Kjo madje reflekton më së qarti edhe tek largimet e vazhdueshme të të rinjve të cilët e shohin si ditë të largët integrimin në Bashkimin Evropian.

Por duke zbritur në nivel teknik, duhet thënë që përpara antarësimit në bllokun evropian shtetet duhet të kalojnë njëherë hapjen e negociatave. Por për të bërë të mundur këtë shteti aspirant, pra Ne, duhet të përmbushim disa kritere që në rastin tonë janë quajtur 5 prioritetet kyçe.

Pesë prioritetet kyçe janë këto: krijimi i një administrate profesionale dhe të depolitizuar, forcimi i pavarësisë së insitucioneve të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Përsa i përket administratës publike duhet thënë që ka pasur disa arritje, por në thelb nuk kemi mundur që ta depolitizojmë e ta mbajme atë larg ndikimit politik të partive. Kështu, miratimi i Ligjit “Për statusin e nëpunësit civil” që vinte edhe si një kërkesë e BE duhet thënë që është një arritje.

Por shkarkimet e padrejta nga puna kanë vazhduar në mënyrë thuajse të njëjtë edhe pas miratimit të ligjit. Për shumë pozicione pune në administratë vazhdohet akoma të paguhen dy punonjës, ata që largohen nga puna dhe përfitojnë pagat me vendim gjykata, dhe ata që emërohen rishtaz në punë.

Zgjidhja për këtë është që në këtë ligj të shtohet një amendament ku t’ja ngarkojë eprorit dëmshpërblimin financiar nëse gjykata vendos se shkarkimi ka qenë i paligjshëm. Krijimi i Departamentit të Administratës Publike sërish nuk ja ka dalë që të shmangë emërimet partiake në pozicione drejtuese.

Nga ana tjetër krijimi ASPA-s (Shkolla Shqiptare për Administratën Publike) është një zhvillim pozitiv. Në tërësi mund të themi që kjo detyrë e parë shtëpie nuk është përmbushur nga ana e Shqipërisë.

Për mbrotjtjen e të drejtave të njeriut është tentuar të bëhen hapa para duke krijuar edhe insitucionin e Komisionerit Kombëtar, apo të tjera struktura e mekanizma referimi për barazi gjinore e dhune në nivel vendor.

Por duhet thënë që vrasja e grave nga bashkëshortët, mosfunksionimi i mekanizmit për mbrotjen nga dhuna e vë mjaft në pikëpyetje arritjen e këtij prioriteti. Sidomos në një moment kur organizmat ndërkombëtarë që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut flasin për një tkurrje të tyre.

Forcimi i insitucioneve të drejtësisë, mund të themi që së fundmi po ndez një dritë jeshile pasi miratimi i reformës në drejtësi, vazhgimet e aktorëve ndërkombëtarë dhe ngritja e insitucioneve sipas seleksionimit të mekanizmave perëndimorë, është një lajm i mirë në kuadër të përmbushjes së prioriteteve kyçe.

Gjithashtu, dy prioritetet e tjera të marra së bashku, pra lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mendoj që marrin përgjigje me ngritjen e “Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” e njihur ndryshe edhe si SPAK.

Edhe pse duhet përmendur se që nga viti 2014 kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat e deri më tani nuk kemi rezultate konkrete mbi përmbushjen e dy prioriteteve të mësipërme.

Mbi këto prioritetet na mbetet të shohim sesi do veprojë SPAK, nga puna e të cilit ka mjaft shpresë dhe besueshmëri në rradhët e opinionit të gjerë publik.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT