Tre ligje të veçanta, Parlamenti i Kosovës “shndërron FSK-në në ushtri”
Këtë të enjte Parlamenti i Kosovës për herë të parë diskuton dhe pritet të miratojë tri ligjet e propozuara nga qeveria që do ta shndërrojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa ia ndërruar emrin. Kjo pako përfshin projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligjin për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.Kështu vendosi kryesia e Kuvendit të Kosovës, një javë pasi një komision i kuvendit pas shqyrtimit të tri ligjeve i procedoi ato për në seancë plenare. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë, tha se Ushtria e Kosovës do të formohet brenda këtij viti. Për miratimin e ligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, nevojitet vetëm shumica e thjeshtë, 61 vota nga 120 deputetë sa i ka kuvendi i Kosovës.“Ne do ta formojmë ushtrinë e Kosovës në partneritet me SHBA-në dhe NATO-n. Dëshiron apo s’dëshiron dikush, këtë vit do të bëhet. Lista Serbe është kundër por ne do të punojmë. Duhet ta fuqizojmë atë e ta bëjmë Forca e Armatosur e Kosovës. Ne do të punojmë ta fuqizojmë dhe ta rrisim buxhetin me dhjetëra miliona”, tha Kadri Veseli.Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) për momentin është një forcë shumetnike, e uniformuar dhe e pajisur me armatim të lehtë, me mision intervenim në raste të katastrofave natyrore. Kjo trupë është themeluar në vitin 2009, sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të presidentit Marti Ahtisaari. Forca e Sigurisë së Kosovës, numëron më shumë se 2000 pjesëtarë. 200 për tyre i përkasin komuniteteve pakicë, gjysma e të cilëve janë nga komuniteti serb./ZgjohuShqiptar.info