Antiterrori në Shqipëri/ 10 persona nën hetim për përhapje paniku në rrjetet sociale, rrezikojnë 5 vjet burg

Skuadrat e antiterrorit në Policinë e Shtetit kanë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës një dosje me 10 persona të akuzuar për përhapje paniku. Provat janë siguruar dhe tashmë hetimet do të kryhen nga Prokuroria e Tiranës.
Agjentët e antiterrorit kanë arritur të zbardhin se këta persona kanë postuar statuse në facebook dhe video në youtube se izolimi do të shoqërohet me vrasje policësh në masë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë Evropën.
Gjithashtu ata shkruajnë se virusi nuk është thjesht pandemi shëndetësore, por një armë biologjike e prodhuar enkas për të shuar një numër të madh njerëzish. Por të gjitha këto konsiderohen si përhapje paniku dhe tashmë janë vënë nën hetim nga agjentët e Policisë dhe Prokurorisë.
Dy prej 10 personave janë shoqëruar nga Policia, ndërsa pritet që të merren në pyetje dhe të përfshihet në dosje dëshmia e tyre lidhur me përhapjen e panikut. Njëri prej tyre është shtetasi me inicialet O.J, i skeduar edhe më parë për përhapje paniku. Ata rrezikojnë 5 vjet heqje lirie, ndërsa shtohet masa e dënimit, kur bëhet fjalë për një situatë të pazakontë, që po e kalon e hjithë bota dhe jo vetëm Shqipëria.