Tentuan ta eleminonin dje në Shkodër, flet inspektori i Tatimeve që i shpëtoi atentatit me tritol, autorët ende mister (DËSHMIA)

Enea Busukja, inspektor i Hetimit Tatimor në Shkodër, mbeti i plagosur një ditë më parë si pasojë e shpërthimit të furishëm me tritol në kryeqendrën e Veriut. Burime për mediat bëjnë me dije se së fundmi ai ka dhënë dëshminë para grupit hetimor duke pohuar se nuk ka konflikte me askënd dhe se ka ide se kush mund t’ia ketë vendosur tritolin.

“Nuk kam konflikte me askënd. Nuk kam asnjë dyshim se nga mund të ketë ardhur kjo ngjarje”, citohet të ketë thënë ai.

Ndërkohë, policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje, por deri më tani nuk ka informacion konkret për autorët e vendosjes së eksplozivit.

Grupi hetimor ka sekuestruar provat e gjetura në vendngjarje dhe po analizon pamjet filmike të kamerave të sigurisë, si në zonën përreth, ashtu edhe përgjatë akseve hyrëse të qytetit.

Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e autorëve, të cilët dyshohet se janë larguar drejt fshatit Dragoç, ku më pas u gjet e djegur makina e përdorur në atentat.

Enea Busukja, 38 vjeç, mbeti i plagosur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm me tritol, mesditën e së martës.  Ai është Inspektor i Drejtorisë së Hetimit Tatimor Rajoni Verior dhe ka marrë plagë të shumta nga shpërthimi.

Policia e Shkodrës doli me një komunikatë të shkurtër për shtyp, ku sqaroi se ngjarja u regjistrua në lagjen “Ndoc Mazi” të qytetit, dhe shpërthimi ndodhi sapo 38-vjeçari u fut në makinë dhe e ndezi.

“Rreth orës 11:35, në lagjen “Ndoc Mazi”, në momentin që shtetasi E. B. ka ndezur automjetin e tij, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në automjet. Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. B., 38 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën“, njoftoi Policia.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT