“Bashkimi me Shqipërinë, ëndrra e parealizuar e UÇK-së”
Amblema e Ushtrise Çlirimtare të Kosovës
|
BERAT -Bashkimi i
Kosovës me Shqipërinë ka qenë ëndrra dhe synimi i ushtarëve e
dëshmorëve të UÇK-së. Bashkimi i trojeve shqiptare ngelet ëndrra e
parealizuar e tyre. Mendoj se për këtë duhet të bëjnë më shumë edhe
qeveria e Shqipërisë në Tiranë dhe ajo e Prishtinës në Kosovë. Sot
Kosova është integruar në radhë të parë në BE”. Kështu deklaroi dje Time
Kadriaj, një nga ish-luftëtaret e UÇK-së, aktualisht deputete në
Parlamentin e Kosovës. Që prej dy ditësh është mysafire në qytetin-muze
të Beratit, me të cilin, siç thotë shpesh ajo, është e “dashuruar”. Në
fakt, edhe pse për historinë dhe kulturën e këtij qyteti ajo ka mësuar
që kur ka qenë e vogël, vizita në Berat është “prekje nga afër e
vlerave të rralla historike, kulturore e arkitekturore të këtij qyteti
të papërsëritshëm”. Sipas saj, veç të tjerash, nxitje për këtë vizitë
është bërë edhe njohja para disa muajsh me Vitore Stefa Lekën,
humaniste, shkrimtare, poete, anëtare e këshillit të Lidhjes Shqiptare
në Botë dhe presidente nderi e disa shoqatave shqiptare në mërgim. Në
një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, deputetja Kadriaj flet për
angazhimet e saj në UÇK, zhvillimet politike në Kosovë, qëndrimin e
njëanshëm të bashkësisë ndërkombëtare në bisedimet Kosovë-Serbi dhe
burgosjen politike të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kush është arsyeja që jeni sot në qytetin-muze?
Jam
në Berat me aktivisten e madhe të të drejtave të shqiptarëve në
diasporë, të drejtave të grave dhe të drejtave humanitare, Vitore Stefa
Leka, me të cilën jam njohur në një kongres të gruas mbarëshqiptare, që
është mbajtur më 8 qershor të këtij viti në Tiranë. Dhe që atëherë e
në vazhdim kemi mbajtur kontakte të rregullta qoftë elektronike, qoftë
telefonike. Meqë Vitoria gjendet me pushime në Shqipëri kam ardhur për
ta vizituar, dhe një prej vizitave që më ka rekomanduar është edhe ajo
në qytetin e saj të lindjes, Beratin, – qyteti i kulturës dhe
historisë.
Ju keni qenë një nga pjesëmarrëset e luftës për
çlirimin e Kosovës, dhe tani jeni deputete e Kuvendit të këtij shteti
të ri. Çfarë mund të na thoni rreth aktivitetit tuaj?
Jam
angazhuar që në fillimet e luftës për çlirimin e Kosovës. Veprimtarinë
time të luftës e kam shtrirë në zonën operative të Dukagjinit me
komandant zotin Ramush Haradinaj, sot lider i partisë ku unë jam
deputete. Meqë me profesion jam mjeke, roli im gjatë Luftës Çlirimtare
të Kosovës ka qenë mjekimi i ushtarëve të UÇK-së. Ka qenë një detyrë e
shenjtë, dhe unë bashkë me koleget që kemi vepruar gjatë luftës e kemi
kryer me nder dhe prosperitet detyrën tonë të shenjtë për atdheun tonë
të shtrenjtë.
Kush është opinioni juaj lidhur me zhvillimet
politike dhe ekonomike në Kosovën e pasluftës, dhe sidomos atë të
viteve të fundit?
Në fakt nuk është ajo që kemi pritur në drejtim
të zhvillimit ekonomik e politik në vend, – siç është e njohur edhe për
opinionin shqiptar këtu në Shqipëri, – me atë se me çfarë po
ballafaqohet Kosova sot. Prapë me bisedime të papërfunduara, është
pjesa veriore e Mitrovicës që është një njollë e madhe, e cila po
shkakton probleme dhe konflikte të vazhdueshme në atë pjesë të
territorit të Kosovës. Kjo pjesë e Kosovës, pra pjesa veriore e
Mitrovicës nuk komandohet dhe nuk udhëhiqet nga shteti dhe forcat tona,
pasi në këtë pjesë sigurinë e kanë forcat e KFOR-it dhe EULEX-it. Në
vazhdimësi kemi probleme në këtë zonë, siç janë bllokimi i rrugëve apo
edhe me keq akoma, vrasje të popullsisë civile.
Si do t’i vlerësoni bisedimet aktuale midis Prishtinës zyrtare dhe Serbisë? Në
fakt, bisedimet kanë filluar më herët, dhe përkundrejt qenies të
barabartë në këto bisedime vihet re një farë presioni që i bëhet nga
ndërkombëtarët Kosovës zyrtare në këto bisedime. Bisedimet nuk kanë qenë
politike, por të një natyre tjetër. Por, edhe ato marrëveshje që janë
arritur gjatë këtyre bisedimeve janë marrëveshje, të cilat nuk po
implementohen nga qeveria e Serbisë. Në këto bisedime arrihen qëndrime,
por ato nuk po japin rezultat, për sa kohë nuk zbatohen nga qeveria e
Serbisë, për shkak se nuk respektohen marrëveshjet e arritura. Mendoj se
faktori ndërkombëtar po insiston për vazhdimin e bisedimeve teknike e
tani për bisedime politike me palën serbe. Por, ajo që vihet re, është
se ndërkombëtarët më shumë i bëjnë trysni faktorit shqiptar se sa atij
serb. Në fakt presioni i duhet bërë Serbisë, sepse ata janë fajtorët
për çfarë ka ndodhur në Kosovë, ata janë fajtorët kryesorë edhe për atë
që po ndodh në pjesën veriore të Kosovës, në Mitrovicë. Janë serbët
ata që, duke angazhuar forcat e tyre, nuk lejojnë integrimin e pjesës
veriore të Mitrovicës, të tërësinë territoriale të Kosovës. Mendoj që
bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e vendosur dhe të ushtrojë
trysni dhe kryesisht të adresohen në qeverinë e Serbisë, duke i kërkuar
asaj implementimin e marrëveshjeve teknike të arritura deri tani.
Vetëm kështu zgjidhet problemi, dhe jo duke i bërë trysni qeverisë dhe
faktorit politik të Kosovës.
Janë hedhur ide për shkëmbime
territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Kush është qëndrimi i partisë që
ju aderoni lidhur me këtë problem?
Kosova është një dhe e
pandarë në kufijtë e saj aktualë. Kosova ka një Kushtetutë, e cila
garanton kufijtë aktualë të shtetit të Kosovës. Po kështu edhe
marrëveshja “Ahtisaari” i përcakton qartë kufijtë e Kosovës, dhe si të
tillë këta kufij duhet të respektohen edhe nga pala serbe. Nuk mund të
ketë shkëmbim territoresh, sepse Mitrovica është Kosovë dhe e
patjetërsueshme. Nëse serbët vërtet duan të integrohen në BE, duhet që,
si të gjithë popujt dhe shtetet e tjera evropiane që nuk përbëhen vetëm
nga një popull, të respektojnë marrëveshjet, Kushtetutën dhe ligjet e
bashkësisë ku duan të integrohen. Po kështu, edhe populli serb që jeton
në pesën veriore të Mitrovicës, duhet të respektojë Kushtetutën, të
respektojë ligjet e vendit në të cilin dëshiron të jetojë për një jetë
të qetë dhe normale.
Cili është qëndrimi i AAK-së, dhe i
juaji personal si ish-luftëtare e UÇK-së, lidhur me idenë e hedhur për
bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?
Në fakt për atë për
çfarë kemi luftuar, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ka qenë ëndrra dhe
synimi i ushtarëve e dëshmorëve të UÇK-së. Bashkimi i trojeve shqiptare
ngelet ëndrra e parealizuar e tyre, por unë mendoj se për këtë duhet
të bëjë më shumë edhe qeveria e Shqipërisë në Tiranë, dhe ajo e
Prishtinës në Kosovë. Sot Kosova është integruar në radhë të parë në
BE. Dhe për këtë, ne duhet të kryejmë obligimet që kemi ndaj Evropës,
të integrohemi në BE. Në momentin e integrimit, qoftë të Shqipërisë,
qoftë të Kosovës, ne jemi të bashkuar, pasi në BE nuk ka kufij dhe pas
kësaj nuk do të ketë kufij as mes shqiptarëve. Por unë them se nëse në
Kosovë do të krijohen kushte të tilla që popullit t’i lejohet të mbajë
referendum, për të përcaktuar nëse janë për bashkimin kombëtar apo jo,
mendoj se do fitojë opsioni i parë, pasi të gjithë janë për bashkim
kombëtar dhe për të pasur një flamur kombëtar, – flamurin kuq e zi, për
të cilin kemi luftuar në shekuj.
Diçka për drejtuesin e
partisë AAK, Ramush Haradinaj, i cili tani ndodhet në Kosovë në pritje
të vendimit përfundimtar të gjyqit të Hagës?
Ne gjithmonë
kemi qenë të bindur se Ramush Haradinaj është i pafajshëm, dhe Ramushi
ka për të marrë pafajësinë nga gjyqi që pritet të bëhet në Hagë.
Gjykimi i Ramush Haradinajt ka qenë një farsë politike, të cilën e ka
bërë Evropa, pasi një politikan i denjë, një patriot i denjë siç është
Ramush Haradinaj, për zhvillimet aktuale në Kosovë, nuk ka dashur që
Ramushi të jetë në Kosovë. Të gjithë e dinë se Ramushi ka qenë i
burgosur politik dhe tani mendoj se është momenti që ai të shpallet i
pafajshëm dhe të fitojë lirinë. Pas kësaj do të jetë lideri numër një
dhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës, sepse një atdhetar dhe politikan
si Ramushi e meriton dhe e ka dëshmuar që e meriton. Ramushi duhet të
kthehet në vendin dhe pozitën ku e ka lënë, duke vazhduar punën si
kryeministër i Kosovës.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.